Një i burgosur bjellorus, i cili u arrestua vitin e kaluar, i nguli vetes lapsin në fyt, gjatë një seance gjyqësore në Minsk.
Pamjet tregojnë Stepan Latypov të shtrirë në sallën e gjyqit, me efektivët e policisë gjyqësore pranë tij, ndërkohë që në sfond dëgjohen ulërimat e të pranishmëve në sallë.
Një video e dytë tregon të pandehurin që dërgohet në ambulancë, me një njollë gjaku në bluzë. Sipas mediave lokale, Latypov e kishte marrë lapsin nga një dosje me dokumente.
Opozitarja Sviatlana Tsikhanouskaya shkroi në Tëitter se Latypov e bëri këtë veprim pasi u kërcënua se do t’i persekutonin familjen nëse nuk pranonte fajin: “Aktivisti bjellorus dhe i burgosuri politik Stepan Latypov preu fytin sot në sallën e gjyqit. Ai u kërcënua se do t’i persekutonin familjen nëse nuk pranonte fajin. Ky është rezultati i shtetit të terrorit, represionit dhe torturës në Bjellorusi”.
Latypov u arrestua shtatorin e kaluar, gjatë protestave kundër Presidentit Alexander Lukashenko. Ai u akuzua për organizim protestash, rezistencë ndaj policisë dhe mashtrim. Madje, televizioni shtetëror e akuzoi se ishte përpjekur të helmonte policinë. (A2 Televizion)