
Pas fitores 4-2 ndaj Islandës në “Elbasan Arena”, trajneri i Shqipërisë Edy Reja u pyet edhe për të ardhmen e tij në drejtimin e kuqezinjve, ku u shpreh se ajo nuk vendoset nga rezultatet e skuadrës.
Italiani theksoi se skuadra mund të ketë ecuri të mira dhe ai të kthehet në shtëpi. “Nuk ndryshon asgjë, pasi mund të bëjmë mirë dhe unë të vendos të kthehem në shtëpi. Thjesht më pëlqen që kemi krijuar një frymë mjaft të mirë grupi dhe dua që të kontribuoj sa të mundem për të lënë një ekip që di të luajë mirë dhe të tentojë për rezultate të rëndësishme”, tha ai.
Kontrata e Edy Reja-s me Shqipërinë mbyllet në nëntor, atëherë kur përfundojnë edhe eliminatoret e Euro 2020. Por 73-vjeçari duket ende i paqartë nëse do të qëndrojë në Shqipëri apo jo.
Sa i përket ndeshjet, Reja u shpreh tepër i kënaqur, duke vlerësuar edhe disa nga lojtarët. “Më pëlqeu shumë reagimi i skuadrës, që vinte pas një humbjeje të thellë përballë Francës, por sot tregoi se ka mundësi të bëjë shumë më mirë në fushën e lojës. Ne merituam të fitojmë edhe në Islandë, ku luajtëm më mirë se kundërshtari, por humbëm për fatin tonë të keq. Sot ishim shumë mirë me Gjasulën që ishte një digë para mbrojtjes, por edhe Baren e Memushajn ,që xhironin mjaft mirë topin dhe ndihmonin për të bërë presing. Të gjithë luajtën mjaft mirë sot dhe duhet t’u bëj komplimente”, tha Reja. (A2 Televizion)