
Policia në Vlorë ka vënë në pranga një 45-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim për vrasje me dashje.
Njoftohet se shërbimet e Policisë Kufitare në Port Vlorë kishin siguruar informacione se një person i shpallur në kërkim për vrasje po tentonte të hynte në Shqipëri, nëpërmjet portit të Vlorës kanë ushtruar kontrolle të detajuara.
Si rezultat në pranga u vu Edmond Panaori, banues në Fier. Panaori ishte shpallur në kërkim pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, ka nxjerrë më 15 dhjetor 2021 urdhrin për ekzekutimin e vendimit të datës 19.11.2012, të kësaj gjykate, vendim ky i rikthyer në fuqi në vitin 2021, nga Gjykata e Lartë, e cila e ka dënuar 45-vjeçarin me 10 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”, nga të cilat i kanë mbetur për të kryer edhe 3 vjet e 4 muaj.
Edmond Panaori ka vrarë me thikë një person me inicialet G. S. në vitin 1996, në fshatin Mbers, Fier. Ai iu dorëzua shërbimeve të DVP Fier, për veprime të mëtejshme procedurale. (A2 Televizion)