I tregon Kurtit kanunin, Rama nis nga Shkupi vizitat në Ballkan, arkivon “Ballkanin e Hapur”

Nga A2 CNN
6 Korrik 2023, 16:49 | Politikë
I tregon Kurtit kanunin, Rama nis nga Shkupi vizitat në Ballkan, arkivon

Edi Rama e nisi nga Shkupi serinë e vizitave që do ta çojnë në kryeqytetet e 5 vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të përgatitjeve për takimin e radhës të Procesit të Berlinit, që do të organizohet në Tiranë, tetorin e ardhshëm.

Në konferencën për shtyp me homologun maqedonas Dimitar Kovaçevski, interesi i gazetarëve ishte më shumë i fokusuar te refuzimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për ta pritur në takim.

Pak javë pasi shefi i qeverisë së Prishtinës i lexoi Kushtetutën e Shqipërisë, Rama ia kthehu me nenet e Kanunit.

“Unë kam akoma shpresë që Albini nuk e ka harruar akoma Kanunin që kur të vjen në shtëpi dhe hasmit i hapet dera”, tha Rama.

Kur u pyet për Ballkanin e Hapur, Rama zbuti disi tonet duke shpjeguar përse po e kalonte mënjanë projektin që mbështeste me forcë deri pak kohë më parë, ndërsa në krah i doli edhe homologu i Shkupit.

“Për organizimin e takimit të Procesit të Berlinit dhe për domosdoshmërinë që të gjithë së bashku të futemi nën ombrellën e Procesit të Berlinit, dëshiroj që Ballkanin e Hapur ta lë mënjanë. Ai i ka bërë një shërbim të mirë rajonit. 1000 herë t’i kthehesha, 1000 herë do të kisha ndjekur të njëjtën rrugë”, tha Rama.

“Ballkani i Hapur” është një iniciativë që buron nga rajoni dhe në asnjë mënyrë nuk është në kundërshti me asnjë nismë tjetër”, u shpreh Kovaçevski.

Insistimi i gazetarëve për më shumë qartësi, nëse nisma konsiderohej e mbyllur, zbuloi se arkivimi mund të jetë i përkohshëm.

Rama shtoi se për sa kohë Procesi i Berlinit nuk pengohet apo ngadalësohet nga vendet e BE-së, preferon të fokusohet në ecurinë e asaj që është ombrella më e madhe e vendeve të Ballkanit Perëndimor.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos