Është zbardhur agjenda e vizitës dyditore të kryeministrit Edi Rama në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ashtu sikurse u njoftua dy ditë më parë, kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot dhe nesër një tur ballkanik në rajon.
Sipas agjendës së kryeministrit, turi nis me Maqedoninë e Veriut ku do të takohet me kryeministrin maqedonas Dimitar Kovaçeski në orën 11:00, me të cilin do të zhvillojë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp në orën 12:00. Më pas, kreu i qeverisë do të zhvendoset në Kosovë, ku fillimisht do të takohet në orën 16:00 me presidenten Vjosa Osmani dhe më pas me kreun e Kuvendit Glauk Konjufca. Ajo që bie në sy në agjendën e kreut të qeverisë është pritja për konfirmim e një takimi me kryeministrin Albin Kurti, i cili një ditë më parë deklaroi se nuk do të ketë takim bilateral me Ramën, por tha se i ka kërkuar që të zhvillojnë mbledhjen e përbashkët të qeverive.


Ditën e nesërme, më 7 korrik, Rama do të zhvendoset në Bosnjë ku do të takohet me kryetaren e këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo, me të cilën do të zhvillojë një konferencë për mediat dhe më pas me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ku pas takimit do të zhvillojë një konferencë të përbashkët. Takimi në Mal të zi do të mbyllet me presidentin Jatov Milotviç.
Në mbrëmje, Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me presidentin Vuçiç në Serbi, për të vijuar me konferencë të përbashkët dhe më pas darkë pune me delegacionet përkatëse.
Nga ajo që u zbulua më parë mësohet se finalizimi i dialogut duke pranuar planin franko-gjerman do të jetë kërkesa e Ramës për Prishtinën zyrtare. Të njëjtën kërkesë, do t’ia bëjë edhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
Gjithashtu në Beograd, Rama do të duhet të bindë Vuçiçin se pse duhet të mbyllet misioni i “Open Ballkan” për ta drejtuar rajonin vetëm drejt Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë më 16 tetor. (A2 Televizion)