
Sali Berisha, akuzoi sot qeverinë e Edi Ramës se në vend që të rrisë rrogat e mjekëve, po i ndëshkon duke miratuar një ligj që i mban peng për 5 vit. Nga foltorja e Kuvendit, Berisha kërkoi që të tërhiqet ligji për kushtëzimin e diplomave të studentëve të mjekësisë dhe u bëri thirrje studentëve të të gjitha fakulteteve dhe familjeve të tyre të bashkohen dhe të protestojnë kundër këtij ligji.
“I bëj thirrje studentëve të fakulteteve të tjera që t’u bashkohen studentëve të mjekësisë se kauza e tyre është e drejtë. Se ndëshkimi që u bëhet atyre është një atavizëm e regjimit të etërve të tyre. U bëj thirrje prindërve të mbështesin kauzën e drejtë të fëmijëve të tyre. Nuk ka atentat më të rëndë ndaj lirisë së zgjedhjes se sa kjo që ndodh sot në parlament, dhe ndodh sepse keni vjedhur 138 miliardë në një vit”, tha Berisha.
Ai kërkoi gjithashtu që një përfaqësi e studentëve të dëgjohet në Kuvend.
“Meqenëse ligji ka ardhur në mënyrë të rrufeshme, antiligjore, antikushtetuese, nuk e kanë konsultuar komisionet respektive, Komisioni i Shëndetësisë, unë gjykoj se një përfaqësues apo një përfaqësi i studentëve duhet të vijë këtu dhe të dëgjohet nga Komisioni i Arsimit dhe i Shëndetësisë.
Nuk them të flasin në sallë, por si grupi i interesit më të fortë që kanë në këtë ligj, ata duhet të dëgjohen nga këto komisione”. (A2 Televizion)