Rama në Prishtinë, Berisha: Ai është armik i hapur i Kosovës

Nga A2 CNN
6 Korrik 2023, 13:33 | Politikë
Rama në Prishtinë, Berisha: Ai është armik i hapur i

Sali Berisha është shprehur se Edi Rama është një armik i hapur, i deklaruar i Kosovës me një agjendë të pastër, të qartë serbe ndaj Kosovës, teksa komentoi vizitën e kryeministrit në Prishtinë.

“Turi i Ramës është një tur i turpshëm, turi i një njeriu, i cili është i aftë të bëjë gjithçka për të shpëtuar lëkurën e tij. Edi Rama është një armik i hapur, i deklaruar i Kosovës me një agjendë të pastër, të qartë serbe ndaj Kosovës.

Agjenda e Edi Ramës kundër Kosovës nisi javën e parë të ardhjes në pushtet, kur akoma pa bërë betimin si kryeministër i vendit, vrapoi në Kosovë dhe zbrazi parlamentin për shkak të qëndrimit fyes ndaj arkitektit të Kosovës së pavarur, Ibrahim Rugovës, detyroi deputetet e LDK të braktisnin parlamentin. Më vonë, Edi Rama riktheu fuqishëm projektin serb të shpërbërjes së Kosovës, ndryshimit të kufijve, de facto ndarjes së Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë.

Pasi dështoi me këtë projekt, Edi Rama u bë protagonist i projektit tjetër të Aleksandër Vuçiç, me të cilin ai shpalli nga Tirana, luftën e ftohtë ndaj Prishtinës”, tha Berisha.

Berisha e quan turin e Ramës si më qesharakun të mbajtur ndonjëherë. “Kalonte nga samiti në samit duke anatemuar Procesin e Berlinit dhe reklamuar procesin e Vuçiçit. Shkon tani në një tur për Procesin e Berlinit, por shkon në një tur më qesharak se kurrë.

Ka hequr qyrkun e Ballkanit të Hapur dhe thotë se po reklamon Procesin e Berlinit, në një kohë kur ka dëshmuar se njësoj si Vuçiçi është i aftë të shkelmojë pavarësinë e Kosovës.

Edi Rama vendosi i pari sanksione ndaj Kosovës, kërcënoi në mënyrë primitive se Kosova do kthehet në epokën e bronzit, foli për Donbase dhe Donjetcke dhe për skenarë që ia servirte Vuçiçi. Kosova ia preu biletën si ndërmjetës, nuk të pranojmë si ndërmjetës dhe kjo është në meritën e tyre. Edi Rama është ndërmjetës i Vuçiçit, nuk ka asnjë tagër tjetër. Pardje në Kosovë ishin kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut. Po çfarë ka Edi Rama për të thënë për BE-në përveç marrëzive të tij dhe hallit të McGonigalit? Këto i ka se e pret në bankën e akuzës McGonigali, jo vetëm për akuzën për korrupsion, por edhe për akuza më të tmerrshme të lidhura me Kremlinin dhe Rusinë”, tha Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos