
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, pas mbledhjes së qeverisë adresoi akuzat e Partisë Demokratike në lidhje me raportin e FMN-së. PD u shpreh sot nëpërmjet Jorida Tabakut se “FMN ka certifikuar se qeveria po dështon në menaxhimin dhe rritjen e të ardhurave në buxhet edhe si pasojë e informalitetit të lartë dhe keqmenaxhimit të taksave”.
Ibrahimaj nënvizoi se treguesit e FMN, por dhe të Bankës së Shqipërisë, nuk e tregojnë këtë, ndërsa shtoi se ekonomia në vend është e qëndrueshme.
“Në radhë të parë, unë do ju ftoja që ta lexonit me vëmendje deklaratën e FMN-së. Kemi pasur diskutime të të gjitha formave me përfaqësues të FMN-së dhe të Bankës së Shqipërisë. Ndajmë mendim të përbashkët se ekonomia shqiptare ka ardhur në përmirësim dhe ka treguar stabilitet. Ka potencial për të përballuar krizën energjetike nëse i përmbahet tregjeve ndërkombëtare. Nuk ka pasur rritje të normave të interesit. Banka e Shqipërisë deklaroi se nuk pret që të rrisë normat e interesit gjatë vitit. Ka pasur disa rritje të çmimeve. Inflacioni në muajin shtator ishte 2,5%. Në analizën e kryer nga FMN dhe nga Banka e Shqipërisë nuk ka sinjal për varfërimin e xhepave të shqiptarëve”, u shpreh Ibrahimaj. (A2 Televizion)