
KQZ është mbledhur për të shqyrtuar një kërkesë të kreut të Partisë Uniteti Kombëtar, Idajet Beqiri. Ai kundërshton vazhdimin e vendimmarrjes nga KQZ, pas dekretit të Presidentit për shfuqizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Kjo shihet si një mundësi që çështja që ka trazuar politikën dhe institucionet kryesore të shtetit, ajo për shtyrjen e zgjedhjeve vendore përtej 30 qershorit, të mund të marrë një pergjigje, në një hap të dytë, nga Kolegji Zgjedhor.
Vetë Idajet Beqiri ka kërkuar që partia e tij, pas daljes së dekretit të Presidentit, të çregjistrohet nga zgjedhjet e 30 qershorit, pasi shprehet se nuk dëshiron të shkojë në zgjedhje pa një dekret presidencial.
Këtu hyn në lojë vendimmarrja e KQZ. Sipas Kodit Zgjedhor, subjektet zgjedhore dhe kandidatët, pas mbylljes së afatit për regjistrim, nuk mund të çregjistrohen më nga gara. Nëse KQZ nuk e aprovon kërkesën dhe Idajet Beqiri ankohet në Kolegjin Zgjedhor, atëherë futet në lojë pikërisht kjo trupë gjyqësore. Duke trajtuar kërkesën e ankimuesit, Kolegjit i duhet të trajtojë indirekt edhe dekretin e Presidentit Meta, duke u shprehur kështu për vlefshmërinë e tij apo jo. (A2 Televizion)