
Një program i OBSH-së, që synon t’u sigurojë vendeve të varfra, qasje të barabartë ndaj vaksinave, testeve e trajtimeve kundër Covid-19, do të mundësojë ilaçe antivirale për pacientët me simptoma të lehta, duke e blerë kurën për vetëm 10 dollarë.
Kjo thuhet në një draft-dokument të organizatës, i parë nga agjencia e lajmeve Reuters. Ilaçi eksperimental i kompanisë Merck, molnupiravir i cili përgjysmon shanset e shtrimit në spital dhe vdekjes nga koronavorusit, pritet të përfshihet mes medikamenteve që do të sigurohen nga OBSH-ja.
Çmimi është shumë i ulët nëse e krahason me 700 dollarët, që është ofruar të paguajë SHBA-ja, për 1,7 milion kura. Antiviralë të tjerë janë në fazë testimi, por molnupiravir është i vetmi që ka treguar rezultate pozitive deri më tani, e që ka kërkuar autorizim për përdorim emergjent nga FDA.
Dokumenti, që shpalos qëllimet e programit të OBSH-së deri në shtator të vitit të ardhshëm, thotë se përmes tij do të dhurohen rreth 1 miliard teste të Covid-19 për kombet më të varfra dhe do të blihen ilaçe për trajtimin e 120 milionë pacientëve në nivel global, nga rreth 200 milionë raste të reja që vlerësohet se do të paraqiten në 12 muajt e ardhshëm.
Planet tregojnë angazhimin e OBSH për të rritur furnizimet me ilaçe dhe teste me çmime relativisht të ulëta, pas humbjes ndaj shteteve të pasura, në garën për sigurimin e vaksinave. Draft-dokumente do t’u dërgohet liderëve globalë përpara samitit të G20-s në Romë, në fund të këtij muaji. (A2 Televizion)