Ilaçi kundër malaries, OBSH pezullon testimin te pacientët me Covid-19

Nga A2 CNN
26 Maj 2020, 10:48 | Bota
Ilaçi kundër malaries, OBSH pezullon testimin te pacientët me

Promovohej nga Presidenti amerikan Donald Trump, por edhe të tjerë, si trajtim i mundshëm kundër koronavirusit, por Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) fashit entuziasmin.

Në një njoftim, kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se kishin pezulluar testimin klinik të ilaçit kundër malaries, hidroksikorokinës, te pacientët me Covid-19, për shkak të shqetësimeve të sigurisë. Vendimi u mor pasi një studim i fundit i publikuar në revistën shkencore “The Lancet”, sugjeroi se ilaçi mund të shkaktonte probleme në zemër e mund të shtonte rrezikun e vdekjes te pacientët me koronavirus.

Një sërë vendesh po testojnë hidroksiklorokinën për trajtimin e Covid-19 dhe disa ditë më parë presidenti amerikan pohoi se merrte nga një pilulë çdo ditë për të parandaluar infektimin: “Po, po marr ilaçin”.

Megjithatë, të dielën, kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se nuk po e merr më hidroksiklorokinën. Edhe më herët, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar që ilaçi të mos përdoret për trajtimin e pacientëve me koronavirus, pasi te personat me probleme kardiovaskulare mund të rezultojë fatal. Por, pavarësisht vendimit të OBSH-së për të pezulluar testimin, Brazili bëri të ditur se nuk do të tërheqë rekomandimin e tij për përdorimin e ilaçit.

Presidenti Jair Bolsonaro, ashtu si Trump, ka folur shpesh për përfitimet e hidroksiklorokinës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos