
Kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit, Imzot Gjergj Frendo, foli në A2 për pashkët e pazakonta, si dhe për situatën aktuale nga pandemia e koronavirusit në Shqipëri dhe në botë.
“Papa ka theksuar në fjalimet e tij dy fjalë: “Shpresë” dhe “Solidaritet”. Çdo tragjedi është thirrje për solidaritet. Këtë duhet ta shprehim edhe konkretisht, këtë e pamë edhe pas situatës nga tërmeti. Solidaritetin duhet ta tregojmë edhe në këtë situatë pandemie. Duhet të ndihmojnë fqinjët, me gjëra ushqimore, e ilaçe. “Shpresa” - i gjithë mesazhi i krishterë frymëzon shpresën, veçanërisht mesazhi i Pashkëve. Fakti që Krishti doli gjallë nga varri tregon se është një thirrje për shpresë. Do të kalojë faza e keqe, do të kalojë edhe kjo krizë. Ne kemi përgjegjësi për vete, por edhe për njëri-tjetrin.
Krishti i ngjallur është takuar me shumë persona dhe fjala e tij ishte gjithmonë “paqja me ju”. Krishti i ngjallur na ka quajtur vëllezër. Krijon një marrëdhënie të re dhe të veçantë mes nesh. Në situata si aktualja kërkohet më shumë solidaritet dhe mbështetje”.
Më tej, Imzot Frendo theksoi se jeta duhet të ndryshojë pas krizës, pasi njerëzit, thotë ai, janë bërë skllevër të konsumizmit.
“Unë mendoj se pasi të kalojë krizë, jeta njerëzore në mbarë botën duhet të ndryshojë. Këto javë na kanë ndryshuar diçka, të dallojmë çfarë është e domosdoshme dhe luks. Ishim bërë skllevër të konsumizmit. Fëmijëve u janë mohuar gjëra të rëndësishme, për gjëra luksoze. Ky është konsumizëm, i cili na harron atë që është më e dobishme për jetën tonë. Njeriu është bërë edhe më i vetëdijshëm për kufizimet e tij. Në momentin që ne mendonim se kishim gjetur zgjidhje për çdo problem, del një virus i vogël. Në këtë mënyrë është rritur edhe ndjenja fetare. Zotin duhet ta nderojmë edhe si familje. Në këtë situatë të jashtëzakonshme, shtëpitë tona janë shndërruar në kisha shtëpiake”.
Në fund, ai pati edhe një thirrje për institucionet: “Institucionet e ndryshme dhe ne si kishë katolike, nëpërmjet priftërinjve dhe murgeshave po ndihmojmë shumë njerëz. Është mirë që autoritetet të afrojnë këta njerëz, duke treguar solidaritet, konkretisht me gjëra ushqimore dhe gjëra të tjera. Situata na thërret dhe na kujton se të gjithë jemi bijtë e zotit”. (A2 Televizion)