
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, tha se nuk kishte ndjesi të mira kur sheh që një ministër dhe një deputet i maxhorancës kanë përfunduar në qeli, të akuzuar për korrupsion.
“Nuk më vjen mirë, sepse hidhet baltë edhe mbi punë të mira të bëra nga qeveria”, tha Gjiknuri në “Intervistë” me Merita Haklaj në A2 CNN. “Të gjitha këto kontrata që u përmendën, pavarësisht se opozita i trajton si akte të një grupi strukturuar kriminal, objektiv kishin një të mirë publike. Mendoj që e mira e këtyre kontratave sa i përket dobishmërisë publike nuk mund të errësohet për faktin se ka akuza për zyrtarë të caktuar”.
Gjiknuri tha se shifrat e aluduara si të vjedhura nga opozita janë në fakt pagesa që duhen bërë për të marrë shërbimin. “Hidhen shifra të ekzagjeruara, “janë vjedhur 430 milionë”, ndërkohë që nuk është e vërtetë. Këta marrin vlerat e kontratave të cilat kanë të bëjnë me përpunimin e mbetjeve, tarifat që do të paguajnë bashkitë apo konsumatorët dhe i përfshijnë sikur këto para janë grabitur”, tha ai.
“Impianti i Elbasanit i ka kaluar shtetit, ai i Fierit pritet t’i kalojë shpejt shtetit. Sa i përket atij të Tiranës, edhe aty përpunohen mbetje. Këto janë tarifa që do të paguhen gjithmonë për të trajtuar një problem që do të jetë gjithmonë. Këtu bëhet fjalë për disa kompani që u vlerësuan se i plotësonin kushtet. Në çdo tender ka akuza. Akuzat në publik amplifikohen shumë, por praktika është se duhet provuar nëse ka pasur abuzime”. (A2 Televizion)