Rrjedhje votash, çarja e PD edhe në parlament, ligjet e PS gjejnë mbështetje edhe nga opozita

Nga A2 CNN
1 Prill 2022, 13:26 | Politikë
Rrjedhje votash, çarja e PD edhe në parlament, ligjet e PS

Rrjedhja e votave të opozitës në favor të mazhorancës po bëhet rutinë në seancat parlamentare. Socialistët arritën të gjenin vota opozitare jo vetëm në zgjedhjen e dy anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës të Shqipërisë por edhe në miratimin e paketës të rezistencës sociale.

Që bashkimi i demokratëve është një mision i vështirë po reflektohet edhe tek qëndrimi politik në sallën e seancave plenare. Ndonëse diskutimet e opozitës janë kundër qeverisë, fletët e votimit tregojnë diçka tjetër, rrjedhje votash të vazhdueshme në favor të mazhorancës.

Në mbledhjen e fundit, socialistët kishin në sallë 73 vota për shkak se disa nga eksponentët në sallë mungonin. Me këtë numër votash ata miratuan dy pika të rendit të ditës mes të cilave ishte edhe akti normativ për buxhetin.

“Akti normativ për tatimin mbi të ardhurat miratohet me 77 vota pro”.

Shtimi i votave në favor të mazhorancës ra më shumë në sy kur me 77 vota pro kaloi një tjetër akt normativ,  ai për ndryshimin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat, një nga pikat e paketës të rezistencës sociale për të cilën u bë edhe debati më i gjatë parlamentar gjatë të cilit në sinkron opozita e akuzoi si të pamjaftueshme.

Grupi parlamentar i PD-së u dërgoi një sms deputetëve me të cilën kërkohej të mos votonin asnjë nga kandidaturat për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë nën argumentin se në fletën e votimit nuk ishte futur asnjë kandidat i mbështetur nga opozita.

Mesazhi nuk u mor për bazë pasi ish-deputeti socialist Anastas Angjeli gëzoi mbështetje masive mes krahëve të politikës.

“Anastas Agjeli miratohet me 92 vota pro”, tha nënkryetarja e kuvendit Ermonela Felaj.

Numër të lartë votash mori edhe kandidatja tjetër Natasha Ahmetaj e cila u zgjodh me plot 80 vota pro.

Historia e rrjedhjes së votave të PD-së nisi që në seancën e parë të Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit 2021, kur Lindita Nikolla u zgjodh kryeparlamentare me 79 vota, dy më shumë se sa kanë zyrtarisht socialistët e socialdemokatët në sallë.

Historia vijoi më tej me zgjedhjen e anëtarëve në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë ku sërish socialistët bënë më shumë vota se sa kishin. Gjatë muajit të fundit rrjedhja e votave është bërë rutinë në çdo seancë parlamentare çka dëshmon një problem tek opozita, madje edhe tek votimi i raporteve të komisionit hetimor për inceneratorët, kishte demokrat që nuk votuan pro qëndrimeve të Jorida Tabakut. Të gjitha këto janë raste për të cilat mazhorancës i janë dashur votat e opozitës, por tregojnë se sa komode qeveris ajo me PD të përçarë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos