
Nga Komisioni Hetimor, debatin mbi inceneratorët, Partia Demokratike e zhvendosi në Kuvend, me Lulzim Bashën që akuzoi drejtpërdrejt Edi Ramën për aferën.
“Njerëzit e kuptojnë fare mirë se koka e këtij korrupsioni është në fakt koka e qeverisë, është Edi Rama. Presim të dalë përpara Komisionit dhe të shpjegojë sesi qeveria e tij i ka marrë të gjitha këto vendimi prapa shpinës së tij”, u shpreh Basha.
Përgjigjen e mori nga njeriu i deleguar për të replikuar me të.
“Drejtësia po bën punën e saj. Nëse ka probleme me procedurat, nëse ka pasur shpërdorim detyre apo të tjera vepra penale atë e cakton prokuroria”, deklaroi Spiropali.
Pika që bashkon Lulzim Bashën me Sali Berishën, është qëndrimi se mbrapa aferës qëndron Edi Rama, por ndryshe nga kryetari aktual, ish-kryeministri është mosbesues te mjetet e PD-së për të vënë para përgjegjësisë autorët.
“Janë dy hetime. Një hetim parlamentar dhe një hetim i SKAP-it. Të dyja përpiqen që të varrosin çështjen. Asnjë qindarkë nuk lëvizte do pa miratimin e Ramës”, u shpreh Berisha.
Aferën e inceneratorëve Berisha e cilëson në dimensione sa 1/10 e asaj me projektin e Portit të Durrësit, në të cilën gjen të përfshirë edhe Lulzim Bashën.
“Edi Rama, kësaj here në bashkëpunim me Lulzim Bravën kanë stisur plaçkitjen e 810 mijë m2, lanë Shqipërinë pa porte”, shtoi Berisha.
Akuzave të Berishës iu përgjigj Taulant Balla, që shfrytëzoi taktikën përça e sundo.
“Ka një akuzë për ty Sali nga Lulzim Basha që urdhrin për të qëlluar mbi popullin opozitar më 21 janar e ke dhënë ti. Dil këtu dhe sqaroje”, tha kreu i grupit të PS.
Debati vijoi me kundër akuza nga ish-kryeministri, i cili paralajmëroi se betejën e tijë do ta zhvendosë në rrugë, me protesta. (A2 Televizion)