
Analisti Lutfi Dervishi komentoi në emisionin “Dita jonë” valën e protestave në vendin tonë për rritjen e çmimeve, si dhe reagimin e ekzekutivit.
“Mesazhet e kryeministrit para vizitës në Dubai ishte një lloj kumti ku çmimet nuk mund të ndryshonin, një javë më pas, gjithçka ka ndryshuar. Prej javësh, bota përgatitej për sulmin ndaj Ukrainës, gjatë gjithë kësaj kohe çfarë hapash kishte ndërmarrë qeveria? Nuk ka qasje strategjike, një qeveri nuk është për të notuar në krizë, por për t’i shmangur ato. Nuk dihen ende hapat që mund të ndërmerren, duken të shkëputur nga realiteti”, thotë analisti.
Sipas tij, “protesta nuk ishte e partive, pa parulla dhe paqësore, e varfër për sa i përket fondeve, por ishin njerëz që thoshin se nuk shtyhet më, duhet të veproni. Në vendet e BE-së, ishte qeveria që reagoi më parë, këtu reaguan njerëzit. Dhe si paradoks, ndalimet më të mëdha nga policia janë bërë për këtë protestë. Në Rusi, të paktën policët ishin me uniformë, këtu ishin civilë me kapuç, a thua se çfarë po ndodh”. (A2 Televizion)