
Pjesë e retorikës së Ramës gjatë fushatës së fundit zgjedhore ka qenë parulla “mos votoni Lulin se do të merrni Metën dhe Berishën”. Sot Basha nuk është në krye të PD dhe dy ish-kryeministrat janë në aleancë.
“Ajo që tha Rama po ndodh, Berisha dhe Meta aty janë, paketë. Nuk është që Rama ka thënë diçka që nuk ka ndodhur. Janë në politikë me energjinë e nevojshme për të qenë të parët e kësaj pune. Rama nuk e përdori për retorikë fushate”, thotë deputeti socialist Arben Pëllumbi, në “Intervistë”.
Berisha dhe Meta ndërkohë vijojnë akuzat për korrupsion, veçanërisht për inceneratorët. Sa impakt kanë këto akuza, sipas tij?
“Sigurisht ka dy aspekte. Aspekti i parë është çështja e vizionit, a ishte vizioni i drejtë? Kishim qytete të mbuluara me re toksike. Depozitimin e Sharrës e mbajmë mend, në Kombinat nuk kalohej dot nga tymi. Sharra u mbush në 2010, duhej një zgjidhje. Të flasim drejtë, në Elbasan inceneratori funksionon dhe është pronë publike, në Fier është për t’ u kaluar si pronë publike, Tirana po pastrohet. Tani, sesi janë bërë procedurat dhe se kush ka punuar mbrapa kurrizit për të bërë gjëra të paligjshme, për këtë po merret drejtësia”, thotë Pëllumbi, që vijon me një krahasim të bujshëm të ditëve të undit.
“E keni dëgjuar skandalin në Parlamentin Europian, zëvendëspresidentja është në hetim, sipas asaj që di ka edhe rreth 50 veta të përfshirë”, thotë Pëllumbi duke iu referuar akuzave për korrupsion në favor të Katarit, “por kjo nuk do të thotë që i gjithë Parlamenti Europian është i korruptuar, por që ka elementë të caktuar që kanë dashur të përfitojnë”.
Rëndësi ka , sipas tij, që ”njerëzit janë çliruar nga tymi toksik, i është zgjidhur një problem, por është normale që si qytetarë ata të interesohen edhe për taksat e tyre. Do të ishte një problem i madh sikur mos të kishte vepruar drejtësia, ose ne si PS t’i kishim mbrojtur këto njerëz, mos të kishim lejuar t’i çonim përballë drejtësisë. Fakti që disa eksponentë të PS presin tashmë dënimin pas një hetimi të gjerë, tregon për një transformim të mentalitetit dhe një investim real në reformën në drejtësi, nuk është perfekte, por shtet formimi do vitet e veta të kolaudohet, do vite reforma në drejtësi, reforma territoriale, madje politika do të bëhet më e përgjegjshme edhe për reformën zgjedhore”.
Pëllumbi deklaroi për A2 CNN se për sa i përket kandidatëve në zgjedhjet e 14 majit, “sigurisht strukturat mund të kenë arritur në konkluzione, por ato nuk kanë arritur në kryesi, të tjerat janë më shumë kuriozitete, thashetheme dhe ndoshta disa të vërteta. Por kemi një numër të madh kandidatësh që do të rikandidojnë sepse kanë bërë punë të mirë, normalisht disa të tjerë mund të largohen”. (A2 Televizion)