
Arben Pëllumbi, deputet dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste, deklaroi në “Intervistë” nga Merita Haklaj, në A2 CNN, se qeveria shqiptare vendosi që të mbështesë në mënyrë të drejtpërdrejtë çdo qytetar dhe çdo biznes të vogël, në vitin kur çmimet pësuan rritje.
“Ky nuk është një vit normal, të gjitha shtetet janë ndikuar nga rritja e çmimeve dhe secili shtet ka bërë politikat e veta fiskale dhe buxhetore. Edhe ne kemi bërë tonat. Kemi gjykuar që të mbështesnim në mënyrë të drejtpërdrejtë çdo qytetar dhe çdo biznes të vogël, duke mos i ndryshuar çmimin e energjisë elektrike. Vende të tjera nuk e kanë bërë këtë, por kanë bërë paketa të tjera. Ne menduam të ndihmojmë me paketa shtresat në nevojë dhe pensionistët. Kemi rritur bonusin e fundvitit për pensionistët dhe e kemi dhënë që në fillim të muajit”, tha Pëllumbi.
“Askush në botë nuk thotë “jam i kënaqur me atë që po bën qeveria” në këtë vit të vështirë. Pastaj, diskutimet mes ekspertëve, çfarëdo që të bëjë qeveria, ka vend për kritika dhe për lavdërime. Unë besoj që kemi vepruar mirë në anën makro”, shtoi deputeti socialist. (A2 Televizion)