
Ashtu siç e lajmëroi dhe kryeministri Albin Kurti, lidhur me incidentet e fundit në veri, Policia e Kosovës ka shtuar prezencën e efektivëve të saj në këtë zonë me qëllimin e vetëm për garantimin e sigurisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Policia e Kosovës njofton se do të ketë një prezencë të shtuar në veri për të ofruar më shumë siguri për qytetarët.
“Prioritet i Policisë së Kosovës është ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët, andaj duke vlerësuar situatën dhe rrjedhat aktuale në komunat veriore, policia ditëve në vijim do të rrisë prezencën policore në veri me qëllim të arritjes së objektivave të policisë”, shkruhet në njoftimin policisë.
Më 6 dhe 7 dhjetor, në komunat në veri të Kosovës u regjistruan disa incidente me armë zjarri dhe me granata, kryesisht kundër objekteve të KQZ, të cilat fatmirësisht nuk regjistruan asnjë të lënduar.
Autoritetet në Kosovë i cilësuan këto incidente si sulme terroriste pas të cilave qëndrojnë banda kriminale që financohen nga Serbia. (A2 Televizion)