
Siguria e vendit kapërcen ndasitë politike. Kuvendi i Shqipërisë organizoi konferencën me temë “Sfidat e sigurisë dhe riformimi i gjeopolitikës” ku interesi për këtë çështje ishte i të gjithë kahëve politikë.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla në fjalën e saj ndaloi tek procesi i integrimit të vendit duke nënvizuar se për vendet e Ballkanit Perëndimor duhet një korsi e posaçme.
“Kjo pozitë asimetrike midis integrimit në NATO dhe integrimit në BE dëmton jo vetëm vendet e rajonit por edhe vetësigurinë e BE-së. Ajo kërkon një përgjigje më të shpejtë nga familja europiane”, u shpreh Nikolla.
Linjën e kryeparlamentares Nikolla e mbajti edhe Damian Gjiknuri.
“Unë mendoj që nga forcimi i marrëdhënieve ekonomike dhe përfshirja e këtij rajoni me se s’bën qoftë dhe për arsye gjeopolitike, qoftë për arsye gjeostrategjike, çfarëdolloj emri t’i themi, në Bashkimin Europian, është e vetmja e ardhme e sigurt e këtij rajoni. Ndryshe, rrugët e tjera do të jenë të pasigurta”, theksoi Gjiknuri.
Siguria e rajonit është më e kërcënuar se kurrë nga influencat e huaja, kryesisht ruse pas agresionit në Ukrainë. Sipas Fatmir Mediut, që vendi të ndjekë politikat të sigurta duhet të monitorohet nga parlamenti.
“Çështjet e sigurisë tejkalon ndarjet tona politike dhe është kënaqësi që jemi të gjithë bashkë dhe le të fillojmë si parlamentarë të diskutojmë për këto çështje pasi nuk është vetëm qeveria e cila duhet të angazhohet dhe preokupohet për këto çështje, por sidomos trupa parlamentare, jo vetëm nga pikëpamja legjislative por edhe nga pikëpamja dhe interesi kushtetues që ka për ta mbajtur qeverinë në ato binarë që I duhen interesit tonë kombëtar”, u shpreh Mediu.
I ftuari i nderit ishte edhe Gjenerali James Jones, ish-këshilltar i PresidentitObama. Ai nënvizoi se lufta në Ukrainë dëshmon përplasjen ndërmjet autokracisë dhe demokracisë.
“Në fakt, autokracia kundër demokracisë ështënjë çështje që do të jetë midis nesh për një kohë të gjatë”, deklaroi James Jones.
Çështjet e sigurisë janë kthyer në qendër të politikave globale pas agresionit të Rusisë në Ukrainë. (A2 Televizion)