
Milaim Zeka tha se opozita në Shqipëri ka zgjedhur një strategji totalisht të gabuar për të sulmuar Edi Ramën duke përdorur Kosovën. “Qytetarit në Shqipëri nuk i shkon ndërmend as për Kosovën, as për Ballkanin e Hapur. Qytetarët në Shqipërisë dhe Kosovë kanë vetëm një strategji: Si të ikin në vendet e BE-së, për të siguruar jetën minimalisht për fëmijët e tyre. Kjo strategji e opozitës është foshnjore”, tha Zeka në një intervistë për Ditarin e A2 CNN.
“Këta, për të mbuluar të kaluarën e tyre po paraqiten si superheronj, superpatriotë, kur ne e dimë që udhëheqësit e luftës së Kosovës janë burgosur në Shqipëri. Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë vetëm një rrugë për të ndihmuar demokracinë dhe për të rrëzuar Edi Ramën, të largohen nga politika”.
Zeka sulmoi edhe dy figurat politike më të lartë në Kosovë, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. “Janë politikanët që në 120 vitet e fundit kanë prodhuar më shumë urrejtje mes Shqipërisë dhe Kosovës. Marrëdhënie më të këqija nuk ka pasur as në kohën e Zogut, as të Hitlerit dhe Enver Hoxhës”, tha Zeka. (A2 Televizion)