Instinkti i artistit, i besoi pikturës dhe jo modelit të rrugës

Nga A2 CNN
6 Shtator 2022, 13:11 | Sociale
Instinkti i artistit, i besoi pikturës dhe jo modelit të rrugës

Egli Çekrezi, 27 vjeç nga Elbasani, është nga ata artistë të rrallë, që i besoi instinktit të tij që i vogël, për të zhvilluar dhe përvetësuar talentin e tij, që është piktura, kryesisht ajo murale. Rrethanat familjare nuk i krijuan mundësinë të vijonte shkollën duke e ndërprerë atë pas klasës së pestë.

Por edhe pse pa leksionet dhe teknikat në shkollat e artit, Egli sot ka 7 vite që kërkohet kryesisht nga pronarët e bareve dhe restoranteve brenda dhe jashtë vendit, të cilët i besojnë pikturimin e ambienteve të brendshme.

“Kur isha i vogël, në shkollë fillore, kur mësuesit flisnin për mësimin, unë kërkoja të hidhja në letër atë që ata thoshin, në formë pikture”, thotë i riu. “Duke u rritur kupton çfarë ke bërë dhe më pas thjesht pasion”.

Dhe duke qenë se gjithçka e ka nisur vetë, edhe vlerësimin për punët e tij thotë që e bën vetë, edhe pse jo aq sa duhet. “Ai që duhet ta vlerësojë këtë punë jam unë. Jashtë e vlerësojnë 5-fishin e asaj që vlerësohet në Shqipëri”.

Si shumë të rinj, që kanë një talent, edhe Egli synon të largohet jashtë vendit, por ka edhe një këshillë për të rinjtë e brezit të tij. “Në një moment, sa më parë, duhet të iki nga ky vend. Artistët nuk i vlerëson kush në këtë vend. Dua t’u them të rinjve që të largohen nga droga dhe bixhozi. Edhe nëse nuk e kanë një profesion, apo pasion, të ushtrohen. Është më mirë të punosh sesa të vjedhësh apo të vrasësh”.

Ndonëse është në pritje të realizmit të ëndrrës së tij për tu larguar nga vendi, Egli, është një frymëzim për brezin e ri, që edhe nëse nuk arrijnë t'i besojnë instinktit të tyre, të paktën të marrin një profesion dhe t’i largohen veseve apo aktivitete kriminale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos