
Kuvendi është mbledhur në seancë parlamentare, ku pika kryesore e rendit të ditës është diskutimi e më pas miratimi i projekt-rezolutës së propozuar nga deputetët Senida Mesi dhe Rudina Hajdari për negociatat me Bashkimin Europian.
Projekt-rezoluta i tërheq vëmendjen vetë Kuvendit që të vijojë me intensitet punën e tij në përmbushje të detyrimeve kushtetuese, por edhe nxit gjetjen e një zgjidhjeje të krizës politike përmes një dialogu gjithëpërfshirës.
Amendamentet e socialistit Ditmir Bushati u përfshinë në dokument në pjesën më të madhe, por jo afatet që ai i propozonte qeverisë për të përmbushur detyrimet që ka drejt unionit. Në fjalën e tij në Kuvend, Bushati deklaroi se “debati politik për rezolutën e Bundestagut gjerman është disi artificial”.
“Është vendi që ka investuar më shumë në procesin e zgjerimit dhe në këtë kontekst, në rast se flasim për kushte, besoj se të gjithë duhet të flasim për nevojën për të rritur standardet në jetën e përditshme. Prandaj është absurde lufta politike, e cila kërkon të legjitimojë kauzën e saj përmes disa detyrave të shtëpisë që na i përcakton Bundestagu gjerman, që në fund nuk janë detyra vetëm për Shqipërinë, por edhe vija e sjelljes që një parlament demokratik i përcakton qeverisë”, tha Bushati.
Ish-ministri i Jashtë, shtoi se “që të përparojmë, neve na duhet konsensus kombëtar”.
“Ne kemi notuar kundër rrymës dhe po notove kështu nuk ke dot sukses. Kjo është arsyeja që kam propozuar pakt kombëtar për Evropën, ku secili bën detyrat që i takojnë. Nuk diskutohet që barrën kryesore e ka qeveria, por përgjegjësia është e përbashkët. Shqetësimet e vendeve anëtarë të BE-së nuk janë çështja themelore, çështja themelore është ku jemi ne? Me këtë rezolutë shpresoj që të hedhim një hap për detyrat që duhet të ushtrojmë ne si Kuvend”, theksoi Bushati.
Pas miratimit në seancë, rezoluta do t’i dërgohet vendeve anëtare të Bashkimit Europian para vendimit për nisjen ose jo të negociatave në mesin e këtij muaji.
Ndërkohë, Kuvendi pritet të miratojë edhe projektvendimin për zgjatjen e punimeve të komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Në opinionin paraprak të Komisionit të Venecias thuhet se Presidenti tejkaloi kompetencat me anulimin e 30 Qershorit. (A2 Televizion)