
Ai që u cilësua si një zhvillim krejt i papritur në mesdite, kur nga Bullgaria erdhën sinjale për të hequr veton ndaj Maqedonisë së Veriut pas 3 vjetësh dhe një ditë para samitit të lidërve të Bashkimit Europian, u venit këtë mbrëmje. Gjatë ditës, rolin e luajti opozita e drejtuar nga ish-Kryeministri Boyko Borisov. Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi, që dha lajmin tha se Sofja ka pranuar negociatat bazuar në propozimin francez. Por për heqjen e vetos do të duhet propozimi i Qeverisë dhe më pas një vendim i Parlamentit bullgar. Qeveria ia la në derë parlamentit dhe duket se institucionet në Sofie po ia postojnë njëra-tjetrës këtë çështje.
Kryeministri Petkov deklaroi në mbrëmje se mbështet planin francez, por veto nuk hiqet para se Shkupi të ndryshojë Kushtetutëni. Pak minuta më pas, qeveria e re e kryeministrit Petkov u rrëzua pas mocionit të mosbesimit, vetëm 6 muaj pasi erdhi në pushtet. Tashmë, Bullgaria shkon në zgjedhje, dhe Petkov udhëton në Bruksel si kryeministër në detyrë.
Një ditë më parë, Kryeministrat dhe Presidenti i tre vendeve te Ballkanit të Hapur, Rama, Kovaçevski dhe Vuçiç kërcënuan me bojkot të samitit që mbahet nesër e pasnesër, që u lexua si një presion për shkak se nuk pritej vendimmarrje për hapjen e negociatave me Tiranën dhe Shkupin. Sot, Rama konfirmoi pjesëmarrjen kur u duk drita jeshile nga Sofja dhe tha se do të flasë edhe për Ballkanin e Hapur në Bruksel.
Për këtë çështje kaq të rëndësishme u diskutua mbrëmjen e së mërkurës në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN. Drejtori ekzekutiv i lëvizjes europiane në Shqipëri, Gledis Gjipali, u shpreh se propozimi francez synon ta transferojë në kohë këtë krizë dhe për ta futur problematikën e Bullgarisë gjatë negociatave.
“Propozimi francez synon ta transferojë në kohë këtë krizë dhe për ta futur problematikën e Bullgarisë gjatë negociatave. Megjithatë, unë nuk jam dakord me gjetjen e pretekstit pasi nuk ka nevojë Franca apo Gjermania të gjejnë pretekst nëpërmjet Bullgarisë. Franca e bëri para vetos bullgare, kur tha se ky proces nuk funksionon dhe e bllokoi. Nuk kanë merak të kamuflojnë kundërshtitë”, u shpreh Gjipali. (A2 Televizion)