
Parlamenti i Bullgarisë nuk do të votojë sot për propozimin francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Maqedoninë e Veriut, pavarësisht kërkesës së liderit të opozitës Bojko Borisov.
Qeveria hodhi poshtë propozimin e tij për të miratuar fillimisht formulën e Macron në Kuvend, gjë e cila do shkurtonte procedurën dhe do të zhbllokonte procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE.
Zëdhënësja e kabinetit, Lena Borislavova, tha se kryeministri Kiril Petkov, nuk do të tërhiqet nga formula zyrtare: propozimi francez fillimisht do kalojë në komisionin parlamentar për politikë të jashtme, pastaj në parlament, ku do të merrte mbështetje të gjerë, dhe në fund do të miratohet në këshillin e ministrave.
Kryeministri Petkov i ka mundësitë për të shkurtuar procedurën e vendimmarrjes për formulën e Macron për zhbllokimin e zgjerimit, por kërkon ndjekjen e procedurës së plotë pas akuzave të njërës nga partitë e koalicionit se po zbaton një linjë të butë ndaj Maqedonisë së Veriut. (A2 Televizion)