
Ministri gjerman për Europën, Michael Roth, është shprehur se është e nevojshme që të përmbushen menjëherë detyrimet kundrejt Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, në lidhje me hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Ju lutem. Çështjet bilaterale zgjidhini bilateralisht, pa bllokuar avancimin e Bashkimit Evropian. Të mendojmë në mënyrë strategjike dhe të kuptojmë që duhet të përmbushim menjëherë detyrimet tona kundrejt Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, plus që nuk kemi interes për të lënë vacuum strategjik në këto vende. Faleminderit”, shkroi Roth në Twitter.
Në vizitën e tij në Tiranë në fund të majit, ministri Roth tha se “në këtë moment kemi një problem bilateral mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, por tani po ndihmojmë për zgjidhjen e tij”. (A2 Televizion)