
“Reforma zgjedhore ishte një kusht që duhej plotësuar nga politika shqiptare. Nuk më duket fare habi që ne edhe mund të përjashtohemi fare nga bisedimet në konferencën e parë ndërqeveritare. Shqipërisë i reduktohen shumë shanset për të marrë një “po” për çeljen e negociatave. Thjesht e shkatërruan edhe këtë shans që kishim tani”.
Kështu u shpreh, në A2, ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Silva Caka. Për të, ndryshimet e njëanshme të kuadrit ligjor zgjedhor do të thonë shkurt, autokraci. “Do të thotë të kthehemi mbrapsht 30 vite. Kjo e ka cenuar raportin e Shqipërisë me Bashkimin Europian”.
Për Cakën, progresi i vetëm i regjistruar nga pala shqiptare është në rastet kur ne kemi pasur një ndihmë nga ndërkombëtarët. “Në të gjitha raportet që kanë ardhur për Shqipërinë, që nga viti 2013, e vetmja pikë ku BE jep një kredit plus lidhur me reformat që ne hartojmë, është vetëm momenti kur ndërkombëtarët japin asistencën e tyre. Sa i përket asaj që ne kemi bërë, do të thotë se jemi në të njëjtat nivele ose bëjmë hapa mbrapa”.
Ish-deputetja e LSI tha më tej se pandemia nuk mund të jetë një justifikim. “Gjithçka ka ndodhur për shkak të problematikave të tjera, një prej të cilave është ndërhyrja e politikës në drejtësi. Praktikisht ky është një justifikim idiot i ardhur nga një njeri që duhet të mbajë përgjegjësi ligjore, por edhe qytetare”. (A2 Televizion)