
Një televizion në Kuvajt deklaron se ka krijuar një spikere virtuale lajmesh duke përdorur inteligjencën artificiale.
“Fedha” bëri debutimin e saj në një llogari në Twitter të Kuwait News, një partner mediatik i Kuwait Times.
Ajo u shfaq si një grua e re me flokë të çelura, që kishte veshur një xhaketë të zezë dhe një bluzë të bardhë.
“Përshëndetje, jam Fedha, prezantuesja e parë e lajmeve në Kuvajt që punon përmes inteligjencës artificiale në Kuwait News. Çfarë lajmesh preferoni të dëgjoni? Jam e gatshme të dëgjoj kërkesat tuaja”, shprehet prezantuesja virtuale në arabisht.
Sipas një prej redaktorëve të televizionit, Fedha është e aftë të flasë në theksin kuvajtian si dhe të lexojë titujt e gazetave. Ai shpjegon se emri i saj vjen nga një fjalë e vjetër arabe për argjendin. (A2 Televizion)