
Interi shpresonte që Juventusi dhe Lazio të bënin hapa të gabuara për t’u ngjitur në klasifikim, por kanë qenë vetë zikaltrit që janë ndalur në “San Siro”, në një barazim 3-3 ndaj Sassuolos, duke u larguar edhe më shumë nga objektivi për titull kampion këtë sezon.
Zikaltrit pësuan gol vetëm pas 4 minutash, por e mbyllën pjesën e parë në avantazh, pas golave të Lukakut dhe Biraghit. Megjithatë pjesa e dytë dhe konkretisht minutat e fundit ishin një makth për skuadrën e Conte-s.
Berardi barazoi rezultatin 9 minuta para përfundimit të kohës së rregullt me anë të një penalltie, ndërsa Valero riktheu Interin në avantazh në minutën e 86, duke krijuar idenë se 3 pikët u siguruan, por Sassuolo nuk u dorëzua, duke barazuar një minutë para fundit të kohës së rregullt.
Me këtë barazim, Interi ndodhet në vendin e tretë, me 8 pikë më pak se Juventusi kryesues. (A2 Televizion)