“Pastrimi i parave”, Basha: Zyrtarë të lartë dalin në përgjimet e antimafies

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2021, 12:21 | Politikë
“Pastrimi i parave”, Basha: Zyrtarë të lartë dalin

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka lëshuar edhe njëherë akuza ndaj mazhorancës dhe drejtuesve të saj për lidhje me krimin e organizuar dhe mafien, gjatë diskutimit në Kuvend të propozimeve për ndryshime në ligjin e parandalimit të pastrimit të parave.

Basha u shpreh se kjo mazhorancë nuk mund të propozojë të tilla ndryshime, kur drejtuesit e saj më të lartë janë kapur në përgjimet e antimafies italiane për afera të ndryshme që kanë të bëjnë me pastrimin e parave, duke nisur nga ndërtimet dhe deri te tenderët.

“A mund të jenë ata, që kapitenin më të suksesshëm të betejës me drogën, kanë ministrin e parë të Brendshëm të akuzuar për trafik narkotikësh, garantues të luftës kundër pastrimit të parave të pista?

A mund të jenë këta që në janar të këtij viti dolën në përgjimet e antimafies së Katanzaros, me titujt e tyre si kryeministër, ministra apo kryetarë bashkie, ku pjesëtarë të një nga organizatave mafioze më të rrezikshme në botë, Ndraghetës, bënin plane për leje ndërtimi korruptive, tendera dhe koncesione, dhe llokma të përcaktuara qartë e me përqindje të majme, garantët që paratë nuk do të pastrohen më në Shqipëri?

A mund të jenë këta që jo 2 javë më parë dolën përsëri në përgjimet e antimafies italiane, këtë herë me një tjetër organizatë mafioze, po aq të rrezikshme sa Ndragheta, Cosa Nostra, si garantët e një operacioni të pastrimit të parave, për të cilin merrej si i mirëqenë bashkëpunimi i zv. kryeministrit dhe drejtuesit të Drejtorisë të Pastrimit të Parave, autorët e iniciativave parandaluese?”, tha Lulzim Basha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos