
Irani ka njoftuar ekzekutimin e parë me vdekje të një protestuesi të dënuar për trazirat e fundit antiqeveritare. 23-vjeçari Mohsen Shekari u var të enjten në mëngjes, pasi u shpall fajtor nga Gjykata Revolucionare për "armiqësi kundër Zotit".
Mediat shtetërore njoftuan se i riu u akuzua si "rebel" që bllokoi një rrugë kryesore në Teheran në shtator, shkaktoi trazira, ka tërhequr armën me qëllim vrasjen dhe ka plagosur me dashje një oficer gjatë detyrës. Gjyqësori tha se seanca u mbajt më 10 nëntor dhe se i pandehuri pranoi akuzat e tij.
Mahmood Amiry-Moghaddam, drejtor i të Drejtave të Njeriut të Iranit me bazë në Norvegji, postoi në Twitter se ekzekutimet e protestuesve do të fillonin të ndodhin çdo ditë nëse autoritetet iraniane nuk përballeshin me "pasoja të shpejta praktike në nivel ndërkombëtar".
Më 1 nëntor, gjykata e shpalli Shekarin fajtor për luftime dhe tërheqje të armës "me qëllim të vrasjes, shkaktimit të terrorit dhe prishjes së rendit dhe sigurisë së shoqërisë" dhe e dënoi atë për "armiqësi kundër Zotit". Ai apeloi kundër vendimit, por u la në fuqi nga gjykata supreme, më 20 nëntor.
Drejtësia ka njoftuar, deri më tani, se 10 persona të tjerë janë dënuar me vdekje nga Gjykatat Revolucionare me akuzën e "armiqësisë kundër Zotit" ose "korrupsionit" në lidhje me protestat.
Amnesty International tha se dënimet me vdekje ishin krijuar për të shtypur më tej kryengritjen popullore dhe të ngjallin frikë në publik.
Protestat kundër institucionit klerik të Iranit shpërthyen në mes të shtatorit, pas vdekjes në paraburgim të Mahsa Amini, 22-vjeçares e cila u arrestua nga policia e moralit për dyshimin se mbante hixhabin në mënyrë të pahijshme.
Protestat e udhëhequra nga gratë janë përhapur në 160 qytete në të 31 provincat e vendit dhe janë parë si një nga sfidat më serioze për Republikën Islamike që nga revolucioni i vitit 1979.
Udhëheqësit e Iranit i kanë portretizuar ato si trazira të nxitura nga armiqtë e jashtëm të vendit dhe kanë urdhëruar forcat e sigurisë që të merren me vendosmëri me ta.
Deri më tani, të paktën 475 protestues janë vrarë dhe 18.240 janë arrestuar, sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut (HRANA), e cila ka raportuar gjithashtu vdekjen e 61 personave që shërbenin si personel sigurie. (A2 Televizion)