Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet gjermane, ka finalizuar ekstradimin drejt Shqipërisë të shtetasit Fabio Ballabani, i njohur edhe si Fabio Zyberaj, 38 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ballabani akuzohet për një ngjarje të ndodhur në vitin 2019, kur dyshohet se ka dhunuar dhe kanosur me armë zjarri K. P., bashkëshortin e gjyqtares Saida Dollani, e cila në atë kohë ishte e ngarkuar me gjykimin e një procesi kundër grupit kriminal ku bënte pjesë edhe vetë 38-vjeçari, shkruan A2 CNN.
Për këtë ngjarje, në vitin 2024, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO) caktoi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Pas mbërritjes në Shqipëri, Ballabani iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku do të vijojnë procedurat ligjore për vuajtjen e masës së sigurisë. (A2 Televizion)