“Mur” kundër dronëve! Incidentet nxorën në pah se ku “çalon” mbrojtja evropiane!

Nga A2 CNN
27 Shtator 2025, 09:50 | Bota

“Mur” kundër dronëve! Incidentet nxorën në pah

Incidentet e fundit me dronë në Danimarkë, Rumani dhe Poloni nxorën në pah, se ku çalon mbrojtja evropiane. BE-ja do të veprojë me një sistem mbrojtës.

Një “mur” dronësh, i cili do të përdorë teknologji të përparuar për të zbuluar, ndjekur dhe kapur mjete ajrore pa pilot. Ky është thelbi i projektit  që planifikon BE-ja, të ndërtojë një sistem mbrojtës nga dronët në krahun e saj lindor. Ministrat e Mbrojtjes së BE ranë dakord për këtë në një video-konferencë të premten (26.09), siç njoftoi Komisioneri i Industrisë së Mbrojtjes i BE-së, Andrius Kubilius.

“Muri i dronëve” është pjesë e një projekti më të gjerë për mbikëqyrjen e krahut lindor të BE-së, i cili përfshin gjithashtu sisteme mbrojtëse tokësore, siguri detare për Detin Baltik dhe Detin e Zi, si dhe inspektim të situatës me informacione satelitore, shkruan A2 CNN.

Instrumentet e BE-së pritet të përdoren për financimin e mburojës.  “Mburoja mbrojtëse për krahun lindor, me murin e dronëve si thelbin e saj, do t’i sjellë dobi të gjithë Evropës”,  theksoi Kubilius.

Gjermania synon të përmirësojë mbrojtjet nga dronët

Pas alarmeve për dronë në Danimarkë dhe Norvegji, niveli i kërcënimit në rritje nga dronët po diskutohet edhe në Gjermani. Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt tani dëshiron të vendosë rregullore të qarta, madje t’i lejojë Bundeswehr-it edhe të rrëzojë dronë në raste të caktuara.

Dobrindt dëshiron të rregullojë më mirë kompetencat ligjore për t’u mbrojtur nga dronët, raportojnë medita gjermane. Një katalog përkatës masash do të përcaktojë, ndër të tjera, se kur Bundeswehr-i do t’i lejohet të rrëzojë mjete ajrore pa pilot në kushte të caktuara. Ndërhyrja e armatosur duhet të jetë e mundur, nëse një dron përbën një kërcënim akut për njerëzit apo infrastrukturën kritike dhe kur masat e tjera mbrojtëse janë të pamjaftueshme. Në situata të tilla krize, kompetenca e vendimmarrjes duhet t’i takojë Ministrisë Federale të Mbrojtjes, raportohet në media. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos