Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Kontinenti”, duke goditur një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike me postë. Në pranga ka rënë Orest Kurtaj, 22 vjeç, banues në Shkodër, i cili u kap në flagrancë në një degë postare në Vorë, teksa merrte një pako me 7 kilogramë Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC-je, e dyshuar e trafikuar nga Kanadaja.
Pakoja kishte 3 kuti kartoni me figura lodra fëmijësh dhe brenda tyre secila nga dy paketime të presuara dhe të mbushura me material bimor të dyshuar kanabis sativa.
Hetimet e deritanishme kanë çuar edhe në identifikimin e porositësit të pakos, shtetasit Z. M., i cili është shpallur në kërkim, ndërsa policia vijon punën për lokalizimin dhe arrestimin e tij, shkruan A2 CNN.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Policinë e Rinasit dhe filialin e Qendrës Tranzite të Postës Shqiptare, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës. (A2 Televizion)