Ndoshta ndeshja midis Anglisë dhe Iranit në Botërorin e Katarit nuk do të mbahet mend për rezultatin që u vulos që në pjesën e parë nga britanikët, as për një nga ndërprerjet më të gjata në turneun më të rëndësishëm të futbollit, që për shkak të dëmtimit të portierit iranian Beiranvand u bllokua praktikisht nga minuta e 8-të deri në të 17-tën.
Me gjasa ndeshja do të mbahet mend gjatë për protestën e hapur të kombëtares iraniane ndaj regjimit në vendin e tyre, e shprehur me vendimin e bujshëm për mos të kënduar himnin kombëtar.
Një vendim unison, që përfshiu të gjithë lojtarët në fushë, si dhe ato në stol, përveç një pjesëtari të stafit, më të zellshëm ndaj Teheranit.

Gjesti u duartrokit nga publiku, madje ishin të shumtë iranianët që u kapën nga kamerat në lot. Jashtë stadiumit Khalifa, protestat e iranianëve ndaj regjimit të ajatollahut ishte edhe më e dukshme, me pankarta që kujtonin vrasjen e Masaha Aminit, vajzës së vrarë në burgjet e regjimit për veshjen e saj.
Një episod që ngriti një valë proteste që ende nuk është shuar, dhe po trondit pushtetin në Teheran.
Kapiteni i kombëtares, Ehsan Hajsafi, ishte deklaruar qartësisht edhe para ndeshjes. “Ne lojtarët jemi nga ana e popullit dhe të atyre që kanë humbur jetën, duhet të pranojmë që gjendja e Iranit të sotëm nuk është e drejtë dhe populli nuk ndihet mirë”, ishin fjalët e tij. (A2 Televizion)