Ish-lojtari i kombëtares së futbollit të Danimarkës, Thomas Kahlenberg, ka rezultuar pozitiv me koronavirus.
Kahlenberg, i cili ishte pjesë e kombëtares së Danimarkës, e cila mori pjesë në Kupën e Botës 2010, është futur në karantinë. Kohët e fundit, ai u kthye në Danimarkë nga një udhëtim në Amsterdam, ku dyshohet se është infektuar me koronavirus.
Ish-futbollisti nuk ishte i vetëdijshëm se ishte mbartës i virusit dhe të dielën e kaluar mori pjesë në ndeshjen Brondby- Lyngby, ku sipas “Daily Mail”, dyshohet se mund të ketë infektuar 13 persona.

Klubi i Brondby-t tha të enjten se 13 personat janë vendosur menjëherë në karantinë, pasi Kahlenberg rezultoi pozitiv me koronavirus.
Ndërkohë, në një deklaratë të klubit të Lyngby thuhet se në listën e 13 personave janë edhe 3 futbollistët: Martin Ornskov, Kasper Jorgensen dhe Patrick da Silva, të cilët kishin pasur kontakte me Kahlenberg.
Autoritetet shëndetësore në Danimarkë kanë bërë të ditur se po punojnë për të zbuluar persona të tjerë, të cilët mund të kenë pasur kontakt fizik me ish-futbollistin, ndërsa ai ndodhet në gjendje të qëndrueshme. (A2 Televizion)