Visar Ymeri, ish-kreu i Vetëvendosjes, sot analist dhe drejtor i Institutit për Politikat Sociale “Musine Kokalari”, ka qenë një nga protagonistët e këtyre 15 viteve pavarësi të Kosovës.
Po si e sheh ai vendin e tij, tashmë që është jashtë politikës. “Kosova në këto 15 vite ka pasur një zhvillim në çdo fushë, edhe pse jo gjithmonë siç e kemi pritur. Vështirësitë e sotme shpeshherë na bën të harrojmë se ku kemi qenë, shpeshherë njerëzit e bëjnë krahasimin edhe me fantazitë e tyre. Mendoj se në disa fusha është aty ku duhet të ishte, duke parë edhe rrethanat politike dhe sociale”, deklaroi ai për A2 CNN.
Sipas tij, “shpallja e pavarësisë ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm, jo vetëm yni, ka pasur kontribut Shqipëria dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara, duke u njohur nga pjesë dërrmuese të shteteve, nuk ka qenë e lehtë. Kemi arritur të ndërtojmë një sistem funksional demokratik, për mënyrën sesi kryhen zgjedhjet, sesi transferohet pushteti. Besoj se në këtë pikë jemi vendi që funksionon më mirë në Rajon”.
Ymeri refuzon paralelizmin me sensin demokratik serb. “Mendoj se kultura në Kosovë është ndërtuar në kundërshtim me kulturën politike serbe, Kosova funksionon më mirë. Më 14 shkurt 2021, Vetëvendosja fitoi me 51% në zgjedhjet e përgjithshme, 56 muaj më vonë në ato lokale merr vetëm 4 komuna. Kjo tregon një nivel të lartë të vetëdijes demokratike, por e mirëmbajtur nga forcat politike këtu. Eshtë meritë e popullit të Kosovës.
Zhvillimi sipas tij ka dritëhijet e veta. “Kemi nivel të kënaqshëm të zhvillimit ekonomik, edhe pse Kosova nuk është kujdesur që rritja ekonomike të përkthehej në rritje të mirëqenies. Rritja ekonomike në një farë mënyre e ka rritur hendekun midis të varfërve dhe të pasurve, gjë që Kosova duhet t’i përgjigjej në mënyrë më transformative, diçka që unë e prisja nga qeveria e Albin Kurtit”.
Ish-kreu i Vetëvendosjes radhit edhe 3 dështime, të shtrira në kohë.
“Problemi më i madh është se nuk kemi një sistem të drejtësisë që i përgjigjet korrupsionit, gjyqësori ka besueshmërinë më të ulët. E dyta arsimi, pikë ku Kosova nuk e ka pasur vëmendjen e mjaftueshme, në testimet PISA ne rankohemi gjithmonë poshtë. E treta, shëndetësia publike, ku kemi një ngecje të jashtëzakonshme që mbetet edhe sot”.
Dialogu Kosovë-Serbi ndërkohë ka arritur të eklipsojë pothuajse çdo debat tjetër.

“Dialogu mbetet një nga detyrimet që ka republika e Kosovës, sepse një pjesë e konsiderueshme e zhvillimeve rreth Kosovës, in primis afirmimi i subjektiviteti ndërkombëtar, vjen nga ky dialog. Kjo nuk është diçka që ne e kemi dëshiruar dhe duhet ta marrim më seriozisht, edhe pse duhet thënë se kjo nuk është vetëm në duart tonë”, thotë Ymeri.
Sipas gjykimit të tij, “dialogu ka marrë një pjesë e mirë të energjisë institucionale dhe e ka monopolizuar tërësisht debatin publik. Problemi me planin franko-gjerman fillimisht është se ai mbetet në planin e parimeve, mund të shndërrohet në marrëveshje por duhet gatishmëria e palëve, si dhe vendosmëria e SHBA dhe BE. Kemi pasur sinjale kohët e fundit që janë shqetësuese, veçanërisht nga SHBA-ja, që tashmë thonë që mbase nuk është momenti për momenti për njohje reciproke, dhe kërkojnë që të lihet për një moment të dytë, pas normalizimit të marrëdhënieve”.
Për Ymerin, “shohim një interes të madh që Uashingtoni ta shkëpusë Serbinë nga Rusia dhe ta fusë në pjesën perëndimore. Trysnia ndaj Serbisë për këtë arsye ka ndryshuar. Pyetja që shtrohet është pse kemi pritur kaq gjatë, kërkesa e perëndimorëve ka filluar prej kohesh, Kurti ka pasur në ideologjinë e tij një kundërshtim historik ndaj dialogut. Por nuk ka qenë e thjeshtë për të gjithë”.
Ymeri flet për një keqkuptim. “Partitë e kanë parë mundësinë e dialogut si rrezik dhe jo si mundësi. Unë mendoj që rreziku për vendin qëndron, në veçanti në raport me nivelin e autonomisë të Asociacionit, por mendoj se kritika më e madhe e perëndimit për politikën kosovare ka qenë ky keqkuptim i dialogut, veçanërisht në dimensionin që shkon përtej Kosovës. Plani franko gjerman është një prej zgjidhjeve, Kurti duhet të japë llogari se është pjesë e aktivitetit të tij. Një marrëveshje sipas planit franko gjerman mund të ndodhë brenda prillit, pastaj mund të kemi një kalendar ku do të ketë negocim për formën e asaj që quhet vetëqeverisja e Asociacionit.” (A2 Televizion)