Kur Kosova u shpall shtet! Dita që kurorëzoi ëndrrën shekullore për pavarësi

Nga A2 CNN
17 Shkurt 2023, 11:25 | Kosova

Ishte ora 15:39, e diel 17 shkurt e vitit 2008. 109 deputetë votuan në këtë kuvend pro deklaratës që e bënte Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, sipas propozimit të Ahtisarit. Në seancën solemne u miratua gjithashtu flamuri tringjyrësh, duke i dhënë kështu fund, pritjes së gjatë të popullit shqiptar për të realizuar ëndrrën e tij.

“Shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik” - Hashim Thaçi.

Ishte kjo deklarata që kumboi zëshëm tejpërtej parlamentit atë mëngjes të ftohtë shkurti, duke përshkuar si melodi veshët e sprovuar nga zhurmat e luftës dhe zemrat e përmalluara për liri. Ishin fjalët që jehuan bashkë me rrahjet e mijëra zemrave të atyre që ëndrrën për pavarësi e paguan me gjak! Ishte përmbushur amaneti i të parëve; që brezat e rinj të mos e provonin kurrë se çdo të thotë të jetosh pa krenari dhe dinjitet.

Përpara një salle gumëzhitëse, në seancën e jashtëzakonshme të 17 shkurtit të vitit 2008, atëherë kryeministri Hashim Thaçi lexoi Deklaratën e Pavarësisë, i ndërprerë vazhdimisht nga ovacionet e 109 deputetëve të pranishëm. Në seancën që e bojkotuan vetëm 11 përfaqësuesit e pakicës serbe, deklarata u votua në mënyrë unanime dhe u firmos nga atëherë presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, dhe kryetari i parlamentit, Jakup Krasniqi.

Menjëherë më vonë, deputetët në sallë, Kosova dhe e gjithë bota u prezantuan me flamurin e shtetit e verdhë e blu të shtetit të ri, e me 6 yje, nga një për secilin komunitet që jeton atje.

Si për ironi të fatit, ndërsa Kosova feston 15 vitet si shtet, dy prej atyre që e sanksionuan në letër, vizionin e kahershëm për liri, sot lirinë e kanë humbur dhe presin pas hekurave të gjykohen për luftën që çoi tek pavarësia. Ish-presidenti Fatmir Sejdiu, është i vetmi mes tyre, që mund të festojë e të kujtojë sot, emocionet e asaj dite. “U emocionova se të gjithë para meje i kishin sytë me lot dhe më shihnin mua”.

Isa Mustafa,  një tjetër aktor rëndësishëm i zhvillimeve politike në Kosovë, nga kohët e qeverisë në ekzil të Bujar Bukoshit; ish-kryetar LDK-së, dhe ish-kryeministër; më 17 shkurt të vitit 2008 drejtonte kryeqendrën e shtetit më të ri në botë, Prishtinën e stolisur për festë…e ku ishin drejtuar reflektorët e të gjithë botës. “Dita erdhi, e kishim prit me entuziazëm, ishte njësoj sikur u kthyem nga ekzili”.

Por megjithëse e kishin pritur gjatë këtë ditë, gjithçka që ndodhi të dielën e 17 shkurtit të vitit 2008, ishte sa e përgatitur aq edhe e nxituar! Sikur as vetë drejtuesit politikë që përmbyllën ciklin historik, të mos e besonin atë që po ndodhte; deklarata e pavarësisë, dokumenti më i rëndësishëm në historinë e një kombi, u realizua vetëm pak orë para se atëherë kryeministri Hashim Thaçi ta lexonte para deputetëve të republikës më të re. “Deklarata erdhi vonë, kishte gabime ortografike… mendova për një moment të hiqja dorë”, kujton Shyqyri Nimani, kaligrafisti i deklaratës së pavarësisë

Temperaturat ishin nën zero, por atmosfera në rrugët e Prishtinës nuk mund të ishte më e nxehtë se atë të diel të 15 viteve më parë. Mijëra njerëz këndonin, kërcenin dhe festonin pavarësinë e firmosur me gjak. Ishte kurorëzimi i një rrugëtimi të vështirë, me sakrifica e luftë. Ishin pritshmëritë për të ardhmen e merituar.

Ndërsa në rrugët e Prishtinës, këndohej e kërcehej mes lotëve të gëzimit dhe muzikës patriotike, atmosfera të dielën e 17 shkurtit të viteve më parë ishte krejt e ndryshme në Beogradin, që u zotua për rezistencë të përjetshme po paqësore, për humbjen e atij që e konsideronte rajonin e vet jugor. Protesta masive organizuan rreth vendit, me grupe manifestuesish të pagëzuar si huliganë nga mediat serbe, sulmuan ambasadën amerikane në Beograd…granata dore u hodhën në veriun më shumice serbe në Kosovë, një prej të cilave shpërtheu pranë një automjeti të OKB-së.

Kryeministri serb, Vojislav Kostunica, tha se vendi nuk do të pranojë kurrë themelimin e një shteti të rremë në territorin e tij, të cilin e quajti pjellë të Uashingtonit. “Kosova është emri i parë i  Serbisë. Kosova i përket Serbisë”.

Për standardet e Ballkanit, ky ishte një fillim relativisht paqësor i dramës më të fundit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë së dominuar nga serbët, e nisur dy dekada më parë. Por pasojat diplomatike sapo kishin filluar. SHBA-ja dhe shtetet kryesore europiane, si Gjermania dhe Britania e Madhe e kishin mbështetur avancimin e Kosovës drejt pavarësisë. Por Rusia, aleati historik i Serbisë e kundërshtoi këtë hap, me frikën se do të nxiste lëvizje të tjera separatiste në oborrin e saj.

Me kërkesë të Moskës Këshilli i Sigurimit të OKB-së mbajti një takim të jashtëzakonshëm pasditen e 17 shkurtit, ku ambasadori rus, Vitaly Churkin, theksoi se deklarata e pavarësisë shkel rezolutën e OKB-së, e cila e vendosi Kosovën nën administrimin ndërkombëtar në fund të konfliktit. Por pavarësisht kundërshtive të Serbisë dhe Rusisë, Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve në Hagë, vendosi në vitin 2010 se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte ligjin ndërkombëtar.

Gjykata vendosi se ligji i përgjithshëm ndërkombëtar nuk përfshin ndalim të deklaratave të pavarësisë. U arrit në përfundimin se deklarata e pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, nuk e shkel ligjin e përgjithshëm ndërkombëtar.

Hisashi Owada, gjykatës

Sot, 15 vite pas pavarësisë, Kosova ecën e bindur drejt një të ardhme europiane, por kapitulli që shpresoi të mbyllte një herë e përgjithmonë më 17 shkurt të vitit 2008, ka ende faqe të pashkruara. Marrëdhënia e vështirë me Serbinë vijon të mbetet peng i hijeve të së shkuarës, qe e përndjekin Kosovën në forma të ndryshme; si trazira e revolta në veri; fushata agresive për çnjohje, këmbëngulja e Serbisë për Asociacionin dhe vullneti për të mos e njohur realitetin e shtetit sovran! (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos