
Arben Çejku, anëtar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, deklaroi në studion e “Ditari” në A2 se “ishte e ditur që ngritja e Gjykatës Speciale do të prekte nivele të larta të politikës në Kosovë”.
“Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli e kanë ditur që do të vijë momenti kur do të ketë një njoftim të tillë publik. Fakti që njoftimi u bë 3 ditë para takimit në Uashington merr konotacione të tjera, por nuk e prek thelbin e kësaj gjykate dhe agjendën e saj për të sqaruar akuzat që janë hedhur ndaj ish-drejtuesve të luftës në Kosovë”, tha Çejku.
“Pas kësaj, teoritë e konspiracionit do të jenë të pafundme dhe askush nuk mund të pretendojë se di të vërtetën, por fakti që kishte reagim nga DASH, tregon që SHBA nuk është e papërgatitur për këto lloj vendimesh të Gjykatës Speciale dhe mund të them që është një hap që e frenon zhvillimin e mëtejshëm të dialogut Kosovë-Serbi”, shtoi Çejku.
Sipas Çejkut, deklarata e Hagës në raport me Presidentin Hashim Thaçi mund të lexohet në 3 dimensione.
“Në dimensionin institucional, politik dhe moral. Përsa i përket dimensionit politik, varet se çfarë qëndrimi do të mbajë Presidenti. Pas këtij njoftimi duhet të përgatitet për mbrojtje reale. Ndërsa të gjithë duhet të unifikohen rreth Kosovës, me luftën për pushtet që duhet të jetë më e pakët. Prej këtij momenti nis një qasje tjetër në raport me figurën e Presidentit Thaçi, me integritetin e tij personal dhe politik. Por, unë besoj se me eksperiencën që ka do të ndërmarrë hapa të rëndësishëm dhe të vështirë, që do të ndihmojnë në ardhmërinë e Kosovës”, u shpreh Çejku.
Sa i përket qëndrimit të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, për të mos marrë pjesë në tryezën e Uashingtonit, Çejku u shpreh: “Hoti duket se po e bën mirë punën e tij. Ai është përballë një sprove shumë të madhe. Nuk ka ndodhur që të ketë një ngjarje të tillë përballë Kosovës dhe të ketë një thyerje të agjendës në këtë mënyrë. Mënyra si veproi tregoi urtësi dhe ai duhet të mbështetet nga të gjitha palët”. (A2 Televizion)