Prokuroria kërkon burg, Gjykata do t'i shkojë Alda Klosit në spital

Nga A2 CNN
6 Shkurt 2023, 11:08 | Kronikë
Prokuroria kërkon burg, Gjykata do t'i shkojë Alda Klosit në

Përballjen e parë me gjykatën Alda Klosi, ish-zyrtarja e Ministrisë së Financave, e akuzuar për tre vepra penale, nuk do ta ketë në gjykatë por në një dhomë spitali. Gjykata e Tiranës njoftoi se seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj Klosit, e caktuar për të martën në orën 10:30 do të zhvillohet në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Ish-zyrtarja u shoqërua për në spital pak orë pasi u prangos, për llogari të hetimit të vjedhjes së qindra mijëra eurove në banesën e saj. Ndërkohë, në kërkesën e depozituar në Gjykatë, Prokuroria e Tiranës kërkon ndaj saj masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale të “fshehjes së pasurisë”, “pastrim të parave” dhe “deklarim të rremë para oficerëve të policisë gjyqësore”. Klosi inkriminua nga sanitarja e arrestuar më herët, Rozeta Dobi.

Teksa rrinte në qeli si e dyshuar për vjedhjen e 120 mijë eurove në banesën e Klosit, sanitarja tha se edhe 400 mijë euro të tjera, që iu gjetën në shtëpi, i kishte marrë tek ish-zyrtarja. Për më tepër, ajo shtoi se shumën e parave, gati 500 mijë euro në total, ia kishte lënë në ruajtje Klosi dhe se inskenimi i grabitjes i ishte kërkuar po prej saj.

Pas mesditës të së hënës, Dobi, i është nënshtruar një tjetër seance pyetjesh nga grupi i hetimit, që ka lindur si nevojë e saktësimit të disa mospërputhjeve me dëshmitë e dhëna prej saj në kohë të ndryshme. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/02/04/pastruesja-i-vodhi-mijera-euro-arresohet-alda-klosi/
https://a2news.com/2023/02/04/arrestimi-i-alda-klosit-prokuroria-e-tiranes-hetimet-jane-komplekse-dhe-vijojne/

A2 CNN Livestream

Latest Videos