Ishte kundër luftës, balerina e Bolshoit largohet nga vendi

Nga A2 CNN
18 Mars 2022, 12:34 | Aktualitet

Personazhe të njohur të botës së artit në Rusi janë shprehur kundër luftës në Ukrainë. Mes tyre është edhe balerina e parë e teatrit të famshëm Bolshoi, Olga Smirnova, e cila ka lënë Moskën për t’u transferuar në Amsterdam.

Artistja 30-vjeçare do të kërcejë për Baletin Kombëtar holandez. Bashkë me të është larguar edhe Victor Caixeta, balerini i parë i Mariinskij të Shën Pjetërburgut. Kjo është një humbje e madhe për Bolshoin, pas lamtumirës që i dha më 7 mars balerini i parë, italiani Jacopo Tissi dhe dorëheqja e drejtoreshës, Tughen Sokhiev.

“Në çdo fije të shpirtit tim jam kundër luftës. Kam qenë gjithnjë krenare për talentet artistike dhe sportive, por tashmë është vendosur një kufi dhe nuk mund të qëndroj indiferente”, është shprehur ajo.



Olga mbërriti mjaft e re në Bolshoi, vetëm 20 vjeç dhe u bë balerinë e parë që në sezonin e dytë. Gjyshi i saj ishte ukrainas, por ajo thotë se gjaku nuk vlerësohet në përqindje, është 100% ruse, ashtu si dhe ukrainase. 

Nuk është vetëm një humbje artistike për Rusinë e Putinit. Teatri Bolshoi është një krenari kombëtare, pothuajse një simbol i shpirtit rus, romantik dhe pasionant. Smirnova ka shfaqjen e radhës në “La Scala”, më 9 prill për galanë në kujtim të Carla Fracci.

Krahas Olgës janë dhe një sërë artistësh të tjerë rusë, të cilët janë shprehur kundër luftës në Ukrainë. Aktori dhe regjisori rus, Danila Kozlovksy, gjithashtu ka reguar, duke e quajtur frikë dhe turp sulmin rus: “Kjo që po ndodh tani është një fatkeqësi. Në të gjitha kuptimet. Njerëzore, humaniste, politike, ekonomike. Lufta nuk duhet të lejohet. E frikshme. E dhimbshme. E padurueshme, e trishtë. Dhe e turpshme. Dhe për veten time. Por, a është e mundur të arrihet paqe përmes dhunës? Dhuna sjell dhunë”.

Njerëz të tjerë të famshëm rusë gjthashtu kanë dalë kundër luftës, si moderatori i njohur Ivan Urgant, komedianët Maxim Galkin dhe Garik Kharlamov, aktori Aleksandër Gudkov, këngëtarët Manizha, Sergej Lazarave, Valery Meladze dhe Ekaterina Varnava, blogerja Nastya Ivleeva, gazetari i pavarur Yury Dude etj.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos