
Ministria e Jashtme tha se dënon përdorimin e lajmeve të rreme nga Rusia për të mohuar bombardimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ministria tha: “Pamjet e shembjes flasin vetë. Ky shkatërrim i ambienteve si dhe i dokumenteve në arkiva është një shkelje flagrante e nenit 61, kreu III i Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore. Dezinformimi dhe lajmet e rreme për këtë sulm janë të papranueshme!”.
Reagimi erdhi pasi gjatë paradites Rusia hodhi poshtë akuzat e bombardimit të konsullatës së nderit të Shqipërisë në Kharkiv. “Rusia hedh poshtë me forcë akuzat e Ministrisë së Jashtme shqiptare se forcat e armatosura ruse dyshohet se kanë dëmtuar ndërtesën e konsullatës së nderit të vendit në Kharkiv”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Në 7 mars, Ministria jonë e Jashtme njoftoi në Twitter se konsullata e nderit është shkatërruar nga bombardimet ruse dhe tha se autorët do të mbanin përgjegjësi. (A2 Televizion)