Itali, bilanci më i ulët nga tetori, nesër vendi pret masat që e kthejnë në ”normalitet”

Nga A2 CNN
16 Maj 2021, 18:33 | Bota
Itali, bilanci më i ulët nga tetori, nesër vendi pret masat

Italia shpreson të rikthehet së shpejti në normalitet. Vendi fqinj sot ka regjistruar, për herë të parë nga tetori, më pak se 100 viktima nga pandemia e COVID-19. Sot ishin 93, ndërkohë që rastet e reja ishin 5753, për një nivel pozitiviteti që shkon në 2.8%.

Treguesit janë në përmirësim të dukshëm, edhe pse në terapitë intensive mbeten rreth 1800 pacientë, dhe të shtruarit janë më shumë se 12 mijë.

Nesër do të jetë një ditë e shumëpritur nga italianët, pasi qeveria Draghi pritet të zbulojë masat e reja që do të hyjnë në funksion nga 24 maji.

Disa masa lehtësuese kanë filluar nga kjo javë, si rihapja e plazheve dhe pishinave, por nesër parashikohet edhe një shtim i orës policore deri në 23 për të ndihmuar restorantet, ndërkohë funksionimi i tyre në ambiente të mbyllura mund të fillojë nga 1 qershori, ashtu si rifillimi i traditës italiane të pirjes të kafeve në banak. Në të njëjtën datë, parashikohet edhe rihapja e palestrave, ndërkohë që nuk ka një datë për rihapjen e qendrave tregtare gjatë fundjavës.

Lajme të mira edhe për çiftet që pritet të martohen, Qeveria italiane mendon të rikthejë ceremonitë martesore nga mesi i qershorit, me protokolle të rrepta, ku të ftuarit duhet të hyjnë në një nga tre kategoritë, të vaksinuar, të shëruar ose me tampon negativ brenda 48 orëve.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos