
Policia ka nisur një procedim në gjendje të lirë për katër efektivët që duhet të ruanin të burgosurin Kristjan Medolli në Gjykatën e Korçës të dielën, i cili u arratis për disa orë para se të kapej sërish nga forcat e rendit.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po i heton të katër punonjësit e Komisariatit të Policisë Korçë, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Materialet hetimore u referuan në ngarkim të efektivëve:
• Inspektor G. S., me detyrë Përgjegjës i zonave të sigurisë në Komisariatin e Policisë Korçë,
• Inspektor F. S., me detyrë Trupë shërbimi i patrullës së përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Korçë
• Inspektor E. S., me detyrë Trupë shërbimi i Patrullës së Përgjithshme
• Komisar M. J., me detyrë Shef i Seksionit të Rendit në Komisariatin e Policisë Korçë
Sipas AMP, referimi u krye pasi më datë 08.05.2022, ndërsa punonjësit e policisë shoqëronin shtetasin K. M. në ambjentet e Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë (person i arrestuar) për vlerësimin e masës së sigurisë, gjatë kohës që ky shtetas ka qenë duke hipur në mjetin e policisë, brenda ambienteve të garazhit të Gjykatës, u është larguar dy punonjësve të policisë dhe është kapur pak më pas nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë.
“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se dy punonjësit e policisë, G. S dhe F. S. nuk kanë përmbushur detyrën funksionale duke mos zbatuar detyrimet ligjore për mënyrën e shoqërimit të personave të arrestuar apo të ndaluar.
Po ashtu, rezulton se Inspektor E. S., në kundërshtim me procedurat standarde të punës dhe në cilësinë e përgjegjësit të patrullave, ka bërë njoftimin vetëm të njërit prej punonjësve të patrullës për shoqërimin në gjykatë të shtetasit K. M.
Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje, dyshohet se punonjësi i policisë Komisar M. J., në cilësinë e eprorit të drejtpërdrejtë dhe në mungesë të Specialistit të Rendit, në kundërshtim me ligjin, nuk ka marrë masa për organizimin e shërbimeve për shoqërimin e shtetasit K. M”, tha AMP në një njoftim për mediat.
21-vjeçari Kristjan Medolli u arratis nga salla e gjyqit në Korçë, aty ku do të jepej masa e sigurisë për të, pasi ishte arrestuar për vjedhje.
Pak pas arratisë, policia arriti ta vërë në pranga 21-vjeçarin në afërsi të kodrave të qytetit të Korçës. Policia bën të ditur se ai u kap duke u fshehur në afërsi të azilit të Korçës, afër kishës së Shën Thanasit, i futur nëpër ferra e shkurre.
Mësohet se ai ishte vënë në pranga dy ditë më parë, pasi akuzohet për vjedhjen e një banese në fshatin Qatrom. (A2 Televizion)