Izraeli nisi në orët e para të mëngjesit të së hënës një operacion të madh ushtarak në Bregun Perëndimor, duke dislokuar qindra trupa në territorin palestinez dhe duke kryer sulme me dronë në ato që pretendon se janë bastione militante rreth Jeninit.
Inkursioni, i cili i ngjan dislokimeve në shkallë të gjerë të kryera gjatë kryengritjes së dytë palestineze dy dekada më parë, ka rritur tensionet edhe më tej pas më shumë se një viti sulmesh mes palëve.
Nënkoloneli Richard Hecht, njëherësh zëdhënës i ushtrisë tha se operacioni filloi pak pas orës 01:00 të mëngjesit me një sulm ajror në një ndërtesë të përdorur nga militantët për planifikimin e sulmeve që ka për qëllim konfiskimin e armëve.










Afërsisht 2000 ushtarë po marrin pjesë në operacion dhe dronët ushtarakë kanë kryer një seri sulmesh për t'i hapur rrugën forcave tokësore.
"Ne nuk po planifikojmë të pushtojmë terrene. Po veprojmë kundër objektivave specifike”, tha ai.
Të paktën katër palestinezë janë vrarë nga sulmet me dron, ndërsa raportohet se izraelitët kanë ndërprerë edhe energjinë elektrike për shumë banorë.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se më shumë se 20 të tjerë u plagosën, me tre prej tyre që ndodhen në gjendje kritike.
Në një incident të veçantë, një palestinez 21-vjeçar u vra pasi ushtarët izraelit hapën zjarr pranë qytetit Ramallah të Bregut Perëndimor.
Teksa Izraeli e përshkroi sulmin si një operacion të saktë, videot në mediat sociale palestineze treguan një tufë të madhe tymi të bardhë që dilte nga një zonë e mbushur me njerëz, me një minare xhamie aty pranë. Video të tjera treguan se një i plagosur u soll në një spital me barelë, ndërsa një tjetër u transportua nga një grup burrash.
Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve Wafa, ushtria bllokoi rrugët brenda kampit, pushtoi shtëpi dhe ndërtesa dhe vendosi snajperë në çati.
Jenin ka qenë një pikë e ndezur pasi përplasja izraelito-palestineze u përshkallëzua që nga pranvera e vitit 2022. (A2 Televizion)