“Jam armiku më i madh i Putin, më kanë helmuar, po vdes” apeli i presidentit të “revolucionit të trëndafilave” drejtuar Macronit

Nga A2 CNN
15 Dhjetor 2022, 22:37 | Bota

Kam luftuar gjithë jetën time për lirinë dhe reformat kundër imperializmit rus. Putin me cilëson si një nga armiqtë e tij kryesorë, ka deklaruar publikisht se do më vriste. Tani jam helmuar në burg, po vdes dhe nuk kam më shumë kohë”. Fjalët nuk vijnë nga ndonjë gjeneral ukrainas i kapur rob, por nga një letër për presidentin francez Emanuel Macron nga personi që ka drejtuar nga viti 2004 deri në 2013 një tjetër vend ish-sovjetik, Gjeorgjinë.

Bëhet fjalë për Mikheil Saakashvilin, avokatin e rritur dhe arsimuar në Shtetet e Bashkuara që u kthye në vendlindje duke u shndërruar në protagonistin e revolucionit të ”trëndafilave” të vitit 2003, që mbylli ndikimin sovjetik në atë vend, duke detyruar tërheqjen e presidentit  Eduard Shevardnadze, që e kishte drejtuar vendin nga vitet ’70.  

Por vitet e pushtetit të Saakashvilit, me qasje pro perëndimore dhe pro NATO, u karakterizuan jo vetëm nga sulmi ushtarak rus në verën e vitit 2008, gjatë lojërave olimpike, por edhe nga akuzat për abuzim me pushtetin.  

Me mbarimin e mandatit ne 2013, Saakashvili bëri sërish bujë në opinionin publik sepse mori nënshtetësinë ukrainase dhe dy vite më vonë u emërua guvernator i Odesës, një karrierë ndoshta unikale në histori.

Në konflikt me presidentin ukrainas të  atëhershëm Poroshenko, ai fillimisht u rikthye në Nju Jork, dhe më pas u rikthye i ftuar nga presidenti Volodymyr Zelensky, i cili paradoksalisht po përjeton dinamika të ngjashme me të, të paktën në lidhje me Moskën.

Zelensky i dha atij një vend prestigjioz si kreu i Këshillit Kombëtar për Reformat, por një vit më pas gjeorgjiani vendosi të rikthehej në Tbilisi. Ai u arrestua në tetorin e vitit 2021 me akuzën e abuzimit me pushtetin dhe u dënuar me 6 vite burg.

Tashmë gjendja shëndetësore e 54-vjeçarit duket kritike, me analiza të kryera nga ekspertë amerikanë që pohojnë se në gjakun e tij janë gjetur sasi të mëdha arseniku dhe mërkuri, ndërkohë që ka akuza se autoritetet gjeorgjiane nuk po bëjnë atë që duhet për ta shëruar. Apeli ndaj presidentit Macron, i shkruar në frengjisht me një kaligrafi që dëshmon gjendjen e tij të vështirë, i shkoi dorazi një gazetareje të së përditshmes Le Monde. Në fillim të letrës, tre germa, SOS. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos