Kryeministri Edi Rama ka zbuluar një prapaskenë të vizitës së Presidentit të Turqisë, Reccep Tayyip Erdogan, në Kryeministri, ditën e djeshme.
Me anë të një videoje në Facebook, kreu i qeverisë tregon dhuratat që shkëmbeu me Presidentin turk, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Dita e Erdogan në vendin tonë nisi me dorëzimin e çelësave të shtëpive të reja për banorët e Laçit, të cilët i kishin humbur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Në total, Turqia kontribuoi për ndërtimin e 522 banesave të reja, për një kosto prej 42 milionë eurosh, siç tha vetë presidenti turk. Në Laç, sheshi kryesor i qytetit mori gjithashtu emrin e Erdogan, si vlerësim për ndihmën e Turqisë.
Pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve dhe protokolleve mes dy qeverive, Erdogan mbajti edhe një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë, ku kërkoi që të luftohej shtrirja e organizatës “Hizmet” e klerikut Fetullah Gulen, e quajtur organizatë terroriste (FETO) nga ana e Turqisë. “Rrezikoni që të përsëritet në Shqipëri, ajo që ndodhi në Turqi”, ishte mesazhi i Erdogan për ligjvënësit shqiptarë, duke kujtuar përpjekjen për grusht shteti të vitit 2015 në vendin e tij, që sipas autoriteteve turke u orkestrua nga Gulen. (A2 Televizion)