Nga Skënderbeu tek Erdogan, Patozi: Të gjitha në një ditë...

Nga A2 CNN
17 Janar 2022, 21:27 | Politikë
Nga Skënderbeu tek Erdogan, Patozi: Të gjitha në një

“Ndërkohë që Sulltani i Turqisë pritej me nderime të larta në Tiranë, Presidenti i Shqipërisë, pothuajse i braktisur prej të gjithëve, kishte vajtur të qante në Lezhë te varri i Skënderbeut”.

Kështu shkruan në një status në Facebook Astrit Patozi teksa komentoi vizitën e Erdogan në Tiranë, përvjetorin e 554 të vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Patozi shkruan se “të gjitha kanë ndodhur në një ditë” teksa përmend edhe zhvillime të tjera në politikën e vendit që kanë ndodhur gjatë kësaj të hëne.

“Po në ato orë patetiko-patriotike u shty sërish për në përjetësi gjyqi për ish-ministrin e Brendshëm, por po ashtu edhe vendimi i Kushtetueses për fatin e mëtejshëm të Presidentit. Autori dihet që është Covidi, armiku i padukshëm (sipas kryeministrit), i cili në Shqipëri më shumë është problem për drejtësinë, se sa për spitalet dhe azilet e pleqve.

Ndërkohë, Presidenti i Republikës, i cili pret (mos)shkarkimin nga shtyrja e gjyqit, është shumë i shqetësuar për 6 bashkitë e vendit, që kanë mbetur prej dy vjetësh pa kryetar. Por ngaqë nuk është kaq e lehtë ta mësosh se atje duhen bërë zgjedhje, u ka nisur letra faktmbledhëse disa institucioneve. Sepse Shqipëria është një shtet strikt ligjor dhe kushtetues, ku presidenti nuk është vetëm kreu, por dhe simboli i tij. Deri tani ka kërkuar sqarime nga KQZ dhe qeveria, por nëse përgjigjet e tyre nuk mjaftojnë, letra mund t'i shkojë edhe Federatës Shqiptare të Futbollit.

Në parlament sesioni i ri i legjislaturës nis me një betejë epike mes dy gjysmave të opozitës për legjitimitetin e vulës, ku e vetmja akuzë për qeverinë është se ka zgjedhur njërën palë në dëm të tjetrës.

Që të gjitha këto në një ditë...ndoshta si një kushtrim i qartë për të mos e humbur shpresën, sepse asnjëherë nuk duhet menduar me pesimizëm që më e keqja ka mbërritur në këtë vend”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos