208 mijë nxënës kanë ikur nga Shqipëria, Vokshi: Kushi të japë dorëheqjen

Nga A2 CNN
29 Qershor 2022, 14:47 | Politikë
208 mijë nxënës kanë ikur nga Shqipëria, Vokshi: Kushi

Deputetja e PD-së, Albana Vokshi, iu paraqit Gjykatës së Posaçme pas padisë së Ministres së Arsimit Evis Kushi ndaj saj.

“Sot u paraqita personalisht para Gjykatës së Posaçme pas padisë së Ministres së Arsimit Evis Kushi. Zonja më paditi për denoncimin e bërë prej meje, para disa javësh, pas sinjalizimeve të mësuesve të qarkut Elbasan për nxjerrjen dhe shpërndarjen e tezave të provimit për mësuesit e arsimit parauniversitar. Ishte seanca e parë pajtuese, por për çudi, Ministrja Kushi nuk ndodhej në seancëashtu siç ligji e përcakton”, tha Vokshi.

Më tej, ajo akuzoi Kushin teksa foli për mediat pasi doli nga gjykata për keqmenaxhim të proceseve në Ministrinë e Arsimit.

“Unë kisha me vete të gjitha provat dhe faktet, por edhe pse jo pasojat për keqmenaxhimin e proceseve në Ministrinë e Arsimit, njëri prej të cilëve, edhe testi për vlerësuesit e arsimit parauniversitar. E pata të pamundur t’i paraqes këto prova pasi Ministrja Kushi vendosi që të mos paraqitej. I kërkova gjykatës që të thirrej në seancë ministrja Kushi, për t’ia paraqitur në prezencë sipas ligjit, të gjitha faktet dhe provat të cilat i ka denoncuar dhe do të vazhdoj t’i denoncoj. Ministrja sa kohë harxhon nëpër gjyqe duke bërë të pafajshmen, por do të ishte në nderin dhe moralin e saj të kishte dhënë menjëherë dorëheqjen. Koha e provoi qe pyetjet ishin po ato që u dërguan në inbox-in tim nga një mësuese. Kjo tregon degradimin e sistemit arsimor”.

Vokshi kërkoi dorëheqjen e Kushit. “Evis Kushi ka përgjegjësi ligjore, ka përgjegjësi morale dhe përgjegjësi politike. Ajo duhet të kishte dhënë dorëheqjen.

Arsimi sot gjendet në një pikë alarmante vetëm në vitet e qeverisjes së Ramës janë 208 mijë nxënës dhe studentë të larguar nga arsimi sepse ministrja Kushi dhe Edi Rama e kanë kthyer arsimin në celulë të Partisë Socialiste.

Politizimi i sistemit dhe keqtrajtimi financiar i mësuesve janë arsyet kryesore pse sot arsimi është ne gjendjen me të keqe ne te gjithë historinë e vet.

Testet e maturës theksuan edhe njëherë gjendjen e rende te këtij sistemi. Kjo qeveri është armike e dijes dhe e zhvillimit. Nxënësit tanë po lenë shkollën dhe braktisin Shqipërinë. Pa dijen, pa arsimin, pa rininë, Shqipëria është në rrezik. Si prind, u bëj thirrje nxënësve dhe prindërve të tyre, t’i bashkohen protestës më 7 korrik”, tha Vokshi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos