Rama në NATO, apel vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën: Të ftohet në mekanizmin e Partneritetit për Paqe

Nga A2 CNN
29 Qershor 2022, 18:55 | Politikë
Rama në NATO, apel vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën:

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar në samitin e NATO-s në Madrid që të ftohet edhe Kosova në mekanizmin e Partneritetit për Paqe. Ai u bëri apel vendeve që ende nuk e kanë njohur atë, të vlerësojnë qëndrimin e Kosovës ndaj agresionit rus mbi Ukrainën, pavarësisht se Kievi zyrtar nuk e ka njohur ende.

“Sot në NATO: Kërkova që Kosova të ftohet menjëherë në mekanizmin e Partneritetit për Paqe. Vendet që nuk e njohin ende Kosovën duhet të vlerësojnë qëndrimin e saj krejt të njehsuar me BE-në ndaj agresionit rus mbi Ukrainën,  pavarësisht se Ukraina nuk e ka njohur ende Kosovën”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare tha se ka vlerësuar edhe marrëveshjen e arritur një ditë më parë mes Suedisë, Finlandës dhe Turqisë.

“Vlerësova marrëveshjen e arritur mes Suedisë, Finlandës dhe Turqisë, duke çmuar qasjen e drejtpërdrejtë të Presidentit Erdogan në funksion të një shqetësimi shumë serioz të shtetit turk dhe nënvizuar se kjo marrëveshje është një shembull për zgjidhjet e problemeve mes aleatësh”.

Ai njoftoi gjithashtu se me presidenti amerikan Joe Biden ka shprehur dëshirën për të organizuar diçka bashkarisht me rastin e 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipëri-SHBA

“Dëgjova nga Presidenti Joe Biden fjalët më të mira për Shqipërinë dhe rolin e saj në Këshillin e Sigurimit e në NATO, si edhe shprehjen e dëshirës së tij për të organizuar diçka bashkarisht me rastin e 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipëri-SHBA”, shkruan më tej Rama në Twitter. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos